Unazat e pemëve të lashta dhe bërthamat e akullit ndihmojnë në përcaktimin e kohës kur ra Babilonia

Ne dimë mjaft shumë për Mesopotaminë e lashtë, rajonin historik që përfshin territorin e Irakut të sotëm dhe pjesë të Sirisë dhe Turqisë. Për shembull, dimë se kush e sundonte këtë rajon dhe në çfarë rendi pasonin mbretërit njëri-tjetrin. Megjithatë, përcaktimi i datave të sakta kalendarike për ngjarjet historike ka qenë më i vështirë.

Tani shkencëtarët kanë gjetur një mënyrë për të zvogëluar këto pasiguri. Teknika përfshin analizimin e unazave të rritjes së pemëve të lashta dhe kombinimin e këtyre të dhënave me dëshmitë e shpërthimeve vullkanike të ruajtura në bërthamat e akullit.

Kjo metodë po ndihmon në plotësimin e boshllëqeve të rëndësishme historike, përfshirë përcaktimin e kohës kur ra Babilonia. 

Datimi i së kaluarës së lashtë

Ekipi kërkimor, i udhëhequr nga Charlotte Pearson nga Universiteti i Arizonës, filloi duke shqyrtuar modelet e unazave të rritjes në drurët e lashtë të gjetur në vendbanime arkeologjike në territorin e Turqisë së sotme.

Studiuesit matën nivelet e karbonit radioaktiv në secilën unazë të veçantë të pemëve dhe i krahasuan këto modele me ato të pemëve, mosha e sakte e të cilave dihej paraprakisht.

Kjo u mundësoi atyre të përcaktonin me saktësi datat e drurit të lashtë.

Por, si mund të ndihmojë kjo në përcaktimin e vitit të ngjarjeve historike?

Disa prej drurëve vinin nga pallate të lashta, ku arkeologët kishin zbuluar gjithashtu dokumente të shkruara që lidheshin me vite të caktuara të një kalendari të lashtë asirian.

Unazat më të jashtme të rritjes ndihmuan në përcaktimin e kohës kur pemët ishin prerë. Kjo u lejoi studiuesve të ngushtonin periudhën kohore të ndërtimit të pallateve dhe t’i lidhnin këto data me dokumentet historike.

Megjithatë, puna e tyre nuk kishte përfunduar ende.

Ekipi iu drejtua më pas një burimi tjetër provash: regjistrimeve të lashta babilonase të vëzhgimeve të planetit Venus.

Këto regjistrime sugjeronin se planeti kishte qenë jashtëzakonisht i vështirë për t’u vëzhguar në periudha të caktuara, ndoshta për shkak të mjegullës vullkanike në atmosferë.

Studiuesit i krahasuan këto vëzhgime me dëshmitë e shpërthimeve vullkanike të ruajtura në bërthamat e akullit të rajoneve polare.

Përputhja më e fortë u gjet me një shpërthim masiv të vullkanit Aniakchak në Alaskë, rreth viteve 1628–1627 para Krishtit.

Të marra së bashku, këto rezultate i ndihmuan studiuesit të përcaktonin se cila prej disa kronologjive konkurruese të Mesopotamisë së lashtë kishte më shumë gjasa të ishte e saktë.

Gjetjet e tyre janë publikuar në një studim në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences.

Një kronologji më e qartë

Ky zbulim hedh dritë të re mbi një debat të gjatë historik lidhur me kohën kur ra Babilonia, duke e vendosur këtë ngjarje rreth vitit 1587 para Krishtit.

“Pasiguritë e mbetura në datim kufizohen në mënyrë që mbështet fuqishëm kronologjinë e mesme-të ulët”, shkruajnë autorët e studimit.

Ekipi ka plotësuar gjithashtu disa boshllëqe të tjera në kalendarin historik.

Për shembull, ata përcaktuan se ndërtimi fillestar i dy pallateve të lashta në territorin e Turqisë së sotme kishte ndodhur afërsisht në vitet 1837–1836 para Krishtit dhe në vitin 1778 para Krishtit.

Unazat e pemëve zbuluan gjithashtu kushte jashtëzakonisht të thata midis viteve 1228 dhe 1188 para Krishtit, duke përfshirë një thatësirë të rëndë nga viti 1194 deri në vitin 1192 para Krishtit.

Kjo ndodhi vetëm dy vjet përpara se kryeqyteti hitit, Hattusa, të plaçkitej dhe të digjej, duke sugjeruar se thatësira mund të ketë kontribuar në rënien e kësaj perandorie.

Studiuesit besojnë se kjo metodë mund të ndihmojë në përcaktimin e datave edhe më të sakta për periudha të tjera historike.

“Matjet e karbonit radioaktiv me saktësi njëvjeçare, të kryera në unazat e pemëve të datuara sipas kalendarit, ofrojnë mundësi të reja për të përmirësuar dhe përpunuar më tej kronologjitë historike.”

Detajet e publikimit

  • Titulli: Anchoring Anatolian tree-rings and Mesopotamian chronology with single-year radiocarbon patterns and ice-core evidence.
  • Autoret: Charlotte Pearson dhe bashkëpunëtorët e saj.
  • Revista shkencore: Proceedings of the National Academy of Sciences.
  • Viti: 2026.
  • DOI: https://doi.org/10.1073/pnas.2615871123