Çitaku reagon pas vendimit të Gjykatës për Thaçin: E turpshme! E papranueshme!

UD. e kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku pasi Gjykata Speciale dënoi me 17 muaj burgim Hashim Thaçin.

Sipas Çitakut, kjo është e turpshme dhe e papranushme. Më tutje ajo thotë se Drejtësia nuk mund të ketë dy standarte.

Reagimi i plotë: E turpshme! E papranueshme!

Nuk ka asgjë më shqetësuese për drejtësinë sesa kur vendimet e saj pushojnë së befasuari, sepse besimi në paanshmërinë e saj është cenuar thellë.

Shpreh zhgënjimin dhe shqetësimin tim të thellë për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në procesin për pengim të drejtësisë.

Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj Gjykate.

Drejtësia nuk mund të ketë dy standarde: një për ata që gjykohen dhe një tjetër për ata që gjykojnë.

Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton: me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar. Me veprime konkrete politike, juridike e diplomatike. Me vendosmëri, deri në fund!

Lufta jonë për liri ishte e drejtë. UÇK ishte ushtria jonë çlirimtare. Sakrifica e një populli për çlirim është pjesë e pandryshueshme e historisë sonë dhe nuk mund të njolloset – asnjëherë.

Me çlirimtarët, deri në liri!