Thaçi dënohet me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë

Gjykata Speciale e ka shpallur aktgjykim dënues për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, edhe në rastin e dytë.

Në seancën e sotme, kryetari i Trupit gjykues, Christopher Gosnell, ka shqiptuar aktgjykimin.

Ai ka thënë se Thaçi dënohet 17 muaj burgim.

Përveç ish-presidentit të Kosovës, në këtë rast akuzohen edhe ish-drejtorin e AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministrin i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu.

Sipas aktakuzës së konfirmuar më 29 nëntor 2024, Thaçi dhe të tjerët akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte.

Në aktakuzë pretendohet se, gjatë periudhës 12 prill – 2 nëntor 2023, Thaçi u kishte dhënë Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, si dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.

Prokuroria pretendon gjithashtu se Thaçi kishte bashkërenduar tri grupe të veçanta, me qëllim të ndikimit në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin për krime lufte.