Përbërësit
– 2 litra lëng pule (+ mish pule i zier në lëng)
– 1 brokoli i vogël
– 25–50 g petë të gjera për çdo racion (orizi ose gruri)
– 1 lugë gjelle vaj
Pasta aromatike
– 2 lugë çaji xhenxhefil të grirë
– 4 thelpinj hudhër
– 2 lugë çaji të rrafshuara koriandër i bluar
– 1 lugë çaji e rrafshuar shafran Indie (kurkumë)
– 2 lugë çaji pastë speci djegës
Racione: 4
Përgatitja e supës së pulës me petë dhe brokoli
1. Lëngun e pulës mund ta përgatisni disa ditë më parë. Unë përgatita një sasi lëngu të përqendruar, duke ndjekur recetën përkatëse, dhe përdora vetëm krahët, kockat e trupit dhe këmbët e një pule fshati. Pasi lëngu ishte gati, hoqa të gjithë mishin nga kockat. Sasia ishte e mjaftueshme për këtë recetë. Mishin e ndava në fije të holla.
2. Kur të dëshironi ta shërbeni supën aromatike, shtypni në havan xhenxhefilin dhe hudhrën e grirë, së bashku me pastën e specit djegës, shafranin e Indisë dhe koriandrën.
3. Në një tenxhere ngrohni 1 lugë gjelle vaj dhe shtoni pastën aromatike. Kaurdiseni për rreth 1 minutë, derisa të ndjeni aromën e këndshme të erëzave.
4. Shtoni lëngun e pulës dhe lëreni të marrë valë. Ziejeni në zjarr mesatar për 2–3 minuta.
5. Ndajeni brokolin në tufëza të vogla dhe më pas priteni në copa të vogla, në mënyrë që të futen lehtësisht në lugë. Shtojeni në supë dhe ziejeni edhe për 2 minuta (mund ta lini deri në 5 minuta nëse e preferoni brokolin më të butë).
6. Në fund shtoni edhe fijet e mishit të pulës, vetëm sa të ngrohen. Provoni supën dhe rregullojeni me kripë sipas shijes.
7. Kur supa të jetë gati, zieni petët sipas udhëzimeve në paketim. Kullojini dhe pritini në disa pjesë me gërshërë, në mënyrë që të jenë më të lehta për t’u ngrënë.
8. Vendosni petët në 4 tasa dhe më pas hidhni sipër lëngun e nxehtë. Me një lugë merrni brokoli dhe fijet e mishit të pulës, sipas dëshirës për çdo racion, dhe vendosini sipër.
Shërbejeni supën menjëherë, të ngrohtë.
Ju bëftë mirë!