Pas pikës së marrë në transfertë ndaj Pogradecit, Sopoti ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e sotme kundër Orikut. Objektivi është i qartë, fitorja. Trajneri Rraman Hallaçi kërkon përqendrim maksimal nga skuadra, duke theksuar se Oriku, pavarësisht se nuk ka marrë pikë, meriton vlerësim. Në prag të sfidës, trajneri i Sopotit ka analizuar paraqitjen e fundit, por edhe problematikat që skuadra duhet të përmirësojë për të arritur te fitorja.
ANALIZA DHE KUNDËRSHTARI – “Pas ndeshjes me Pogradecin kemi zhvilluar analizën e zakonshme me video, duke u treguar lojtarëve detajet e takimit. Kundërshtari na krijoi shumë vështirësi falë cilësive që kishte, ndaj kemi diskutuar me skuadrën për të korrigjuar gabimet dhe për të përmirësuar disa aspekte të lojës. Na pret një ndeshje shumë e vështirë. Oriku është një skuadër që ende nuk ka marrë pikë, por ka investuar dhe ka lojtarë cilësorë. Ata do të vijnë për të bërë ndeshjen e tyre, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm në çdo moment dhe të vlerësojmë siç duhet çdo situatë në fushë.
Në futboll, një moment i vetëm mund të ndryshojë gjithçka. Prandaj duhet të jemi të përqendruar, sidomos në rastet që krijojmë para portës kundërshtare. Gjërat që kemi punuar vazhdimisht në stërvitje duhet t’i zbatojmë në fushë dhe të jemi sa më efikasë. Në këtë kategori nuk mund të presësh pesë apo gjashtë raste të pastra në çdo ndeshje. Duhet të shfrytëzojmë mundësitë që na jepen, të shënojmë dhe të arrijmë fitoren. Pikët na duhen dhe koha nuk pret. E dimë që jemi një skuadër e re, por kjo nuk mund të jetë gjithmonë justifikim.
Duhet të marrim maksimumin dhe të përmirësohemi sa më shpejt. Mendoj se skuadra ka potencialin për të fituar. Si grup jemi sistemuar mirë dhe arrijmë të luajmë në bllok, por disa lojtarë duhet të përmirësojnë aspektet individuale. Kjo është edhe një përgjegjësi për ne si staf teknik, që t’i ndihmojmë të bëjnë përpara”, deklaroi trajneri.
BESIM TE SKUADRA DHE TIFOZËT – “Kam besim te skuadra dhe besoj se do të reagojë për të marrë fitoren. Megjithatë, gjithçka duhet treguar në fushë. Lojtarët duhet të jenë të karikuar 100 për qind, me mentalitetin dhe përqendrimin e duhur për të fituar, sepse nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. E vlerësoj shumë Orikun, si skuadër dhe për lojtarët që ka në përbërje. Pavarësisht rezultateve, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të japim maksimumin për të rikthyer tri pikët. Kam besim se tifozët do të jenë sërish pranë nesh. Ata kanë ardhur për të mbështetur skuadrën dhe i mirëpresim edhe këtë herë. Shpresojmë t’ua shpërblejmë përkrahjen me një rezultat pozitiv”, përfundoi Rraman Hallaçi.