Sekretariati i Etikës shqyrton kërkesën e PS për përjashtimin e 20 deputetëve të PD pas përplasjeve në Kuvend

Sekretariati i Etikës në Kuvend do të mblidhet sot, në orën 10:00, në një mbledhje online për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për marrjen e masave disiplinore ndaj 20 deputetëve të Partisë Demokratike, pas incidenteve të regjistruara në seancën e fundit parlamentare.

Sipas kërkesës së socialistëve, për gjashtë deputetë të PD-së, Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi dhe Besart Xhaferri, propozohet përjashtimi nga Kuvendi për një periudhë dy mujore. Ndërkohë, për 14 deputetët e tjerë, të cilët akuzohen se bllokuan foltoren dhe penguan zhvillimin normal të seancës, kërkohet një masë përjashtimi prej 10 ditësh.

Në kërkesën drejtuar Sekretariatit të Etikës, PS pretendon se gjatë përplasjeve pati sulme fizike, fyerje dhe hedhje shishesh uji ndaj deputetëve socialistë.

Sipas socialistëve, Flamur Noka u përplas fizikisht me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, dhe kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ndërsa Fidel Kreka akuzohet se goditi me bllokun e votimit ish-ministrin Ervin Hoxha.

Për deputetët Belind Këlliçi, Besart Xhaferri, Edi Paloka dhe Luçiano Boçi, kërkesa e PS-së përmend gjithashtu fyerje dhe goditje me shishe uji ndaj përfaqësuesve të mazhorancës. Socialistët argumentojnë se pamjet filmike dokumentojnë incidentet e ndodhura gjatë procesit të votimit.

14 deputetët për të cilët kërkohen 10 ditë përjashtim

Për deputetët Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi, PS kërkon një masë më të shkurtër disiplinore.

Sipas argumentimit të paraqitur nga socialistët, këta deputetë morën pjesë në bllokimin e foltores, duke penguar vijimin e rregullt të punimeve parlamentare.

Pavarësisht tensioneve dhe përplasjeve gjatë seancës, Kuvendi arriti të votojë gjashtë projektligje dhe tri projektvendime. Ndër vendimet e miratuara ishte edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të Reformës Territoriale.

Vendimi për masat disiplinore ndaj deputetëve të opozitës pritet të shqyrtohet nga Sekretariati i Etikës në mbledhjen e sotme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *