Pulë e glazuar në Air Fryer me sallatë lakre dhe petë orizi

 

Përbërësit

Pulë e glazuar

450 gr kofsha pule të çcituara (pa lëkurë; 5 copë)
2 lugë gjelle salcë soje
1 lugë gjelle e plotë salcë Sriracha (përdora Tomi Sriracha)
1 lugë gjelle uthull orizi
1 lugë gjelle ujë

1 luë çaji mjaltë
1 hudhër i shtypur

Sallata

1 lakër e vogël (rreth 400 gr)
1 karrotë
75 gr petë orizi
2-3 lugë gjelle uthull orizi
2 lugë çaji vaj susami
kripë

Porcione: 2
Kalori: 579 kal / porcion
Proteina: 49.5 gr / porcion
Karbohidrate: 66.5 gr / porcion

Si përgatitet pula e glazuar në air fryer me sallatë lakre dhe petë orizi

1. Kofshët e pulës priten në 5-6 copë. Përzihen me përbërësit e tjerë (nga salca e soje te hudhra) dhe lihen të marinohen në frigorifer deri në gjysmë ore para se t’i gatuani në Air Fryer. Nëse keni nxitim, mund t’i lini jashtë vetëm për gjysmë ore.
2. Ngrohni paraprakisht Air Fryer-in në 180°C për 3 minuta. Shtoni copat e pulës në tepsinë e nxehur, në distancë nga njëra-tjetra që ajri i nxehtë të ketë vend të qarkullojë. Nëse keni një Air Fryer të madh ose të dyfishtë, do t’ju hyjnë të gjitha copat në një turn, nëse keni një të vogël, do t’ju duhet t’i pjekni në dy turne.
3. Pjekni copat e pulës për 10 minuta në 180°C, duke i kthyer në gjysmë të kohës (pas 5 minutash). Pas 10 minutash, kofshët duhet të jenë skuqur bukur dhe të kenë një glazure të shkëlqyeshme (shih foton e parë më poshtë).
4. Ndërkohë që bëhet pula, përgatitni sallatën: pritni lakrën fije-fije hollë; shtoni sipër saj karotën e grirë në rende. Shtoni pak kripë dhe fërkojeni me duar për 1-2 minuta, derisa lakra të zbutet dhe të humbasë pak vëllim. Ky hap është i rëndësishëm sidomos nëse lakra nuk është shumë e njomë (e re).
5. Zieni petët e orizi sipas kohës së shënuar në paketim. Kullojini në një kullesë dhe më pas kalojini nën ujë të ftohtë rubineti derisa të ftohen plotësisht. Kullojini përsëri mirë nga uji, duke tundur kullesën.
6. Shtoni petët e orizit mbi lakër. Shtoni uthullën dhe vajin e susamit dhe përziejini mirë. Provoni sallatën për kripë dhe uthull, duke shtuar nëse ka nevojë.
7. Shërbeni pulën e glazuar me sallatë të freskët. Pula është më e shijshme menjëherë pasi është përgatitur. Sallata qëndron e freskët për më gjatë.