Kurti e lë buxhetin për 2 nëntor: Çka ndodhi me “afatin e fundit” të 31 tetorit?

Projektbuxheti 2027 do të miratohet në Qeveri të hënën, më 2 nëntor, ka paralajmëruar kryeministri Albin Kurti. Kjo ndodh dy ditë pas datës deri kur ligji kërkon që ai të dorëzohet në Kuvend.

Vetë Kurti e ka trajtuar këtë datë si të detyrueshme, dhe jo vetëm një herë. “31 tetori është afati i fundit”, tha ai më 31 tetor të vitit 2025.

Dy javë më parë, më 15 tetor, e përsëriti para deputetëve: “Ne kem afatin deri më 31 tetor që ta votojmë buxhetin për vitin 2027, këtë do ta bëjmë”.

Datën e re Kurti e njoftoi pikërisht ditën kur skadonte afati, më 31 tetor, në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes: “pra pasnesër, do të miratojmë projektligjin për buxhetin e vitit 2027”.

Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së dhe ish-ministre e Financave, e akuzon Kurtin se buxheti i Republikës “fillimisht ‘kaloj’ filtrin e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së”, e vetëm pastaj shkon në Qeveri.

“Vitin e kaluar, pikërisht më 31 tetor, Kurti mburrej se po e miratonte buxhetin brenda afatit ligjor. Sivjet, paska vendosë me mburrje me e shkelë edhe këtë afat”, shkroi ajo në Facebook.

Sipas Bajramit, “tashmë veç kemi rrëshqitur në parti-shtet”, dhe “për Albin Kurtin partia s’pyet për ligj e afate ligjore”.

Çka thotë ligji dhe praktikat?
Neni 22.1 i Ligjit nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë është i qartë: “Qeveria ia dorëzon këto dokumente Kuvendit jo më vonë se më 31 tetor të atij viti fiskal.”

Detyrimi përfshin dorëzimin e dokumenteve të miratuara paraprakisht nga Qeveria. Pra, deri të shtunën buxheti duhej të ishte në Kuvend, jo ende në pritje të mbledhjes së Qeverisë.

Sipas tekstit të ligjit, edhe nëse dorëzohet po të hënën, projektbuxheti mbërrin me vonesë. Neni 22 nuk parashikon përjashtim, as pasojë të posaçme për vonesën.

E vetmja rrugë për ta arsyetuar vonesën është kalendari. 31 tetori ra të shtunën, dhe neni 81.4 i Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative e zhvendos afatin e fundjavës në ditën pasuese të punës.

Por ky rregull vështirë se e mbulon buxhetin. Nenet 2 dhe 3 e kufizojnë atë ligj kryesisht te vendimet për të drejtat dhe detyrimet e personave, kontratat administrative dhe aktet reale. Projektligjet nuk përmenden.

Vetë Qeveria Kurti ka mohuar se projektbuxheti është akt administrativ. Në nëntor 2025, Ministria e Financave i tha Gjykatës Themelore se ai është “vetëm propozim për Kuvendin”.

Neni 124.1 i Rregullores së Kuvendit i referohet ligjit administrativ për afatet. Por Rregullorja rregullon punën e Kuvendit, dhe neni 124.2 e ngrin afatin gjatë pushimeve parlamentare, rregull që s’ka kuptim për detyrimin e Qeverisë.

Neni 81.1 i ligjit financiar u jep përparësi dispozitave të tij kur ka mospërputhje me ligje e akte të tjera për menaxhimin e parasë publike. Por pyetja që shtrohet në këtë rast është nëse vlen rregulli i fundjavës.

Praktika nuk e ndihmon Qeverinë. Më 2020, kur 31 tetori ra të shtunën, Qeveria Hoti e miratoi projektbuxhetin të premten, 30 tetor. Më 2021, kur ra të dielën, vetë Qeveria Kurti e miratoi të premten, 29 tetor. Më 2021, kur 31 tetori ra të dielën, Qeveria Kurti e miratoi projektbuxhetin të premten.

Këta precedentë nuk provojnë se e hëna është e ndaluar, por tregojnë se qeveritë, përfshirë atë të Kurtit, kanë vepruar para fundjavës. Sipas tekstit të ligjit dhe praktikës, afati është tejkaluar.

Kushtetuta ia ngarkon Qeverisë propozimin e buxhetit (neni 93.5) dhe Kuvendit miratimin (neni 65.5). Çdo ditë vonesë i merret Kuvendit, që ka afat deri më 31 dhjetor për ta shqyrtuar dhe votuar buxhetin.

Nëse buxheti nuk miratohet dhe shpallet para fillimit të vitit fiskal, neni 24 i ligjit financiar lejon vetëm financim të përkohshëm e të kufizuar, si në fillim të këtij viti.