Dënimi i dytë ndaj Thaçit në Hagë, avokatët: Paraburgimi nuk i llogaritet, por mund të kërkohet bashkimi i dënimeve

Më 16 shtator 2026, Gjykata Speciale në Hagë dënoi me gjithsej 81 vjet burgim katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet, për akuza që lidhen me krime lufte.

Dy muaj më vonë, më 17 nëntor Thaçi u përball me një tjetër vendim dënues në Hagë, kësaj radhe në rastin e pengimit të administrimit të drejtësisë, ku u dënua me 17 muaj burgim.

Në të njëjtën çështje, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim, ndërsa Hajredin Kuçi me një muaj burgim me kusht.

Isni Kilaj u lirua nga të gjitha akuzat.

Pas dënimit të dytë të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, avokatët vlerësojnë se koha e kaluar në paraburgim nuk do t’i llogaritet në dënimin prej 17 muajsh, por theksojnë se mbrojtja mund të kërkojë bashkimin e dy dënimeve në rast se aktgjykimet bëhen të formës së prerë.

Jashari: Thaçi mund të përfitojë nga bashkimi i dy dënimeve, paraburgimi nuk i llogaritet në 17 muajt e rinj

“Koha e kaluar në paraburgim në Hagë nuk do t’i llogaritet ish-presidentit Hashim Thaçi në kuadër të dënimit prej 17 muajsh në rastin e administrimit të drejtësisë”.
Kështu ka vlerësuar për “Front Online” avokati Arbër Jashari.

Jashari thotë se sipas parimeve të së drejtës penale dhe legjislacionit të Kosovës, në rastin e dënimit për disa vepra penale ekziston mundësia e bashkimit të dënimeve dhe caktimit të një dënimi unik.

“Në rastin kur një person dënohet për disa vepra penale duhet të bëhet bashkimi i dënimeve dhe caktimi i një dënimi unik. Kjo nënkupton se dënimet nuk i shtohen automatikisht njëri-tjetrit por caktohet një dënim i përbashkët, i cili duhet të jetë më i madh se dënimi më i rëndë por më i vogël se shuma e të dy dënimeve”, ka deklaruar Jashari.

Ai ka bërë të ditur se nëse të dy aktgjykimet ndaj Thaçit bëhen të formës së prerë, mbrojtja mund të nisë procedurën për bashkimin e dënimeve.

“Nëse të dyja aktgjykimet bëhen të formës së prerë mbrojtja mund të iniciojë procedurën për bashkimin e dënimeve. Në këtë rast Thaçi do të mund të përfitonte nga caktimi i një dënimi unik, i cili në raport me shumën aritmetike të të dy dënimeve, do të ishte më i favorshëm për disa muaj”, ka thënë ai.

Avokati ka rikujtuar se asnjëri prej vendimeve nuk është ende i formës së prerë dhe se të dyja mund të kundërshtohen në shkallën e dytë.

“Është me rëndësi të theksohet se asnjëri prej këtyre dënimeve nuk është bërë ende i formës së prerë. Edhe aktgjykimi në rastin e administrimit të drejtësisë, sikurse ai në rastin e krimeve të luftës mund të kundërshtohet përmes ankesës në Dhomën e Apelit”, u shpreh Jashari.

Avokati kundërshton dënimin e dytë ndaj Thaçit: Gjykata shkeli të drejtat fundamentale

Avokati Xhevdet Smakiqi është deklaruar për “Front Online” ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë në çështjen e dytë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, duke e cilësuar atë si diskriminues dhe në kundërshtim me parimet themelore të drejtësisë penale.

Smakiqi ka kundërshtuar veçanërisht mënyrën e llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim.

“Nuk ekziston asnjë sistem juridik penal, as në shtetet e rajonit e as në Evropën kontinentale dhe rendet demokratike, që një të paraburgosuri të mos i llogaritet koha e paraburgimit kur i shqiptohet një sanksion penal”, ka deklaruar Smakiqi.

Sipas tij, gjyqtari i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka keqpërdorur diskrecionin gjyqësor dhe ka shkelur të drejtat fundamentale të Thaçit.

“Gjyqtari përveç që ka shkelur dispozitën 79 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ka shkelur rëndë të drejtat fundamentale të një të pandehuri dhe ka vepruar me diskriminim të hapur në raport me të bashkëakuzuarit në kushte dhe rrethana të njëjta, bile edhe më të rënda”, ka theksuar avokati.

Smakiqi ka shprehur bindjen se vendimi duhet të anulohet në shkallën e dytë.

“Se Apeli nëse ka pavarësi të gjykimit, do ta anulojë këtë aktgjykim jo vetëm për diskriminim të hapur, por edhe për shkak se nuk ka vepër penale as në tentativë e as në konsumim të saj pa pasur palë të dëmtuar”, thotë ai.

Avokati Smakiqi ka një kërkesë edhe për Qeverinë e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës duhet të mobilizohet me të gjithë mekanizmat diplomatikë, juridikë, politikë dhe financiarë, të ndalojë këtë papërgjegjësi të DHSK-së, pasi shihet sheshazi se janë gjykime politike kundër çdo parimi të drejtësisë penale”, tha Smakiqi.