Jakup Krasniqi po kalon edhe një ditë pranë familjes së tij në Prishtinë, pas vizitës humanitare që iu lejua nga Dhomat e Specializuara në Hagë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes.
Ish-kryetari i Kuvendit është transportuar të mërkurën nga objekti i EULEX-it në Fushë Kosovë drejt shtëpisë së tij, nën përcjelljen e masave të shtuara të sigurisë.
Krasniqi pritet të qëndrojë katër ditë në Kosovë. Sipas kushteve të përcaktuara për vizitën, ai do të kalojë ditën në shtëpinë e tij, ndërsa natën do të kthehet në objektet e EULEX-it.
Ai mbërriti në Kosovë të martën, pas autorizimit të Dhomave të Specializuara, për të qëndruar pranë bashkëshortes, gjendja shëndetësore e së cilës raportohet të jetë e rënduar.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, kishte konfirmuar se vendimi për lejimin e vizitës ishte marrë për arsye të forta humanitare.
“Për momentin, e vetmja gjë që mund të them është se kjo erdhi si pasojë e arsyeve të forta humanitare. Pala e akuzuar mund të paraqesë një kërkesë të tillë, siç e dini, dhe më pas gjyqtarët, duke u mbështetur në rregullat e gjykatës si dhe në të drejtën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, marrin një vendim me urgjencë dhe profesionalizëm”, kishte deklaruar Doyle.
Kjo është vizita e dytë e Krasniqit në Kosovë që nga dërgimi i tij në Hagë. Herën e parë ai kishte ardhur në tetor të vitit 2024.
Ndërkaq, më 16 shtator të këtij viti, Gjykata Speciale e dënoi Krasniqin me 25 vjet burgim.