Lushnja lë pas vendimet e Disiplinës, Zaimaj: Në Kuçovë vlen vetëm trepikëshi

 

Lushnja ka mbyllur përgatitjet për transfertën e sotme ndaj Naftëtarit, me synimin për t’u rikthyer te fitorja pas humbjes së javës së kaluar kundër Vllaznisë B. Pavarësisht vendimeve të fundit të Komisionit të Disiplinës, në kampin lushnjar fokusi është vetëm te ndeshja, ku tri pikët konsiderohen të domosdoshme për objektivat e sezonit.

Humbjes së fundit i janë shtuar edhe masat e rënda disiplinore, që kanë penalizuar pjesëtarë të stafit teknik dhe kanë sjellë pezullimin e tifozëve për tri javë n[ ndeshjet brenda. Në Lushnjë, vendimet janë kundërshtuar, ndërsa drejtuesit e klubit po përgatisin dosjen e ankimimit për ta paraqitur në shkallën e dytë të gjykimit sportiv. Megjithatë, drejtuesit u kanë kërkuar lojtarëve të shmangin komentet për këtë çështje dhe të përqendrohen te përballja me Naftëtarin. Skuadra synon një reagim të fortë, si në lojë, ashtu edhe në rezultat, për të rikthyer qetësinë dhe për të konfirmuar pretendimet për ngjitjen në Kategorinë e Parë.

ZAIMAJ: FITORJA, OBJEKTIVI YNË I VETËM – Në prag të kësaj sfide, mesfushori Iriglen Zaimaj, në një prononcim për “Panorama Sport”, theksoi se Lushnja është e përgatitur për të kërkuar maksimumin në Kuçovë. “Kemi punuar shumë gjatë gjithë javës për ndeshjen e radhës, të cilën e konsiderojmë po aq të rëndësishme sa edhe përballjet me rivalët tanë për ngjitjen. Lushnja ka forcën e duhur për të reaguar dhe për të marrë rezultatin maksimal. Fitorja është objektivi ynë i vetëm në çdo ndeshje dhe besoj se i kemi të gjitha mundësitë për t’u paraqitur ndaj Naftëtarit si skuadra pretendente që jemi.

I gjithë grupi është i bashkuar dhe jemi të vendosur të kërkojmë maksimumin në Kuçovë. Kemi marrë mbështetjen e tifozëve tanë dhe do të zbatojmë me përpikëri udhëzimet e stafit teknik. Mungesa e trajnerëve në pankinë nuk do të përbëjë problem për ne në fushë, pasi do të kemi mbështetjen e drejtuesve në çdo moment të ndeshjes, edhe nga shkallët e stadiumit. E rëndësishme është të fitojmë, sepse tri pikët do të na ndihmonin të rikthenim normalitetin te Lushnja dhe të vazhdonim rrugën drejt objektivave tona”, përfundoi mesfushori Iriglen Zaimaj. Për lagunarët, sfida me Naftëtarin është një mundësi për të reaguar pas javës së kaluar dhe për të treguar se mbeten të vendosur në garën për ngjitje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *