Po kërkonte zbatimin e një urdhri gjyqësor dhe shteti s’po e bënte. Arlinda Zekaj parashikoi fundin e sj tragjik, e indinjuar që institucionet s’po ia mundësonin të jetonte në shtëpinë e saj me djalin e saj, siç kishte urdhëruar Gjykata. Menjëherë pasi një patrullë policore e çoi në shtëpi mbrëmë, ajo u vra nga kunati i saj, i cili më pas u arratis. Tani, Prokuroria, Policia dhe institucionet e tjera shtetërore thonë se po i ndërmarrin “të gjitha veprimet” për rastin. “Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, shkruante Arlinda Zekaj në një letër tri ditë para vrasjes, e pashpresë se shteti do ta mbronte.
Një grua po përjetonte dhunë dhe po e priste vdekjen në shtëpinë e saj në rrugën “Man Dedushaj” në Vitomiricë të Pejës, ndërsa shpresonte ta mbronte shteti.
Arlinda Zekaj u vra mizorisht mbrëmë nga kunati i saj, Albert Sylaj, i cili dyshohet se e kishte goditur me sëpatë në kokë, në dhomën e saj të gjumit.
Për fundin e saj kaq tragjik 49-vjeçarja i kishte parlajmëruar institucionet, ndërsa u kishte bërë një kërkesë të fundit që ato ta mbronin.
Tri ditë para se të vritej, ajo i shkroi një letër kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar që rasti i saj të trajtohej me urgjencë.
Ajo kërkonte zbatimin e një vendimi të Gjykatës Themelore të Pejës, e cila më 16 tetor kishte urdhëruar që ish-bashkëshorti ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Ishte lëshuar edhe një urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.
“E nderuar Kryeprokurore, kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjitha zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësitë te njëri-tjetri, e kështu duke lejuar që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë”, shkruante Arlinda Zekaj në fillim të letrës së saj të fundit drejtuar institucioneve.
Ajo kërkonte “ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor” dhe hapjen e hetimeve ndaj disa zyrtarëve që thoshte se s’po e mundësonin këtë.
E indinjuar nga mosreagimi institucional, ajo parashikonte dhimbshëm vdekjen e saj, para një mbrojtjeje nga shteti, të cilën e kërkonte me dëshpërim.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, shkruante ajo në letër.
Arlinda Zekaj, siç edhe e kishte theksuar vetë në letër, po u shkruante për herë të fundit institucioneve.
“Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!”, shkruante ajo në letër.
Kjo përpjekje për të marrë ndihmën e nevojshme institucionale që do ta parandalonte vrasjen e saj, është “e dhimbshme deri në asht”, siç shkoi vetë Arlinda Zekaj tri ditë para vrasjes.
Veprimi institucional që nisi pas vrasjes
Puna më e madhe institucionale, u duk se nisi vetëm pas vrasjes së kësaj gruaje. Por përgjegjësi deri më tani nuk ka marrë askush.
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi autorizoi analizimin e të gjitha veprimeve institucionale të ndërmarra në trajtimin e rasteve në të cilat kishte qenë viktimë Arlinda Zekaj.
Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj, ai i kërkoi raport të detajuar me shkrim për kronologjinë e trajtimit të këtyre rasteve.
Edhe Inspektoratit Policor të Kosovës iu kërkua që “të ndërmarrë veprimet përkatëse hetimore dhe verifikuese lidhur me trajtimin e të gjitha rasteve të raportuara nga e ndjera në Policinë e Kosovës”.
Tani, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit tha se “do ta trajtojë këtë çështje me seriozitetin dhe urgjencën e nevojshme”.
“Pas pranimit dhe analizimit të dokumentacionit dhe raporteve përkatëse, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe institucionale, në përputhje me kompetencat përkatëse. Në rast se konstatohen shkelje të ligjit, neglizhencë apo mosveprime nga ana e zyrtarëve përgjegjës, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore dhe do të kërkohet përgjegjësi për secilën shkelje të evidentuar, pa asnjë tolerim ndaj përgjegjësisë institucionale apo individuale”, tha Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në një komunikatë për media.
Prokuroria Themelore e Pejës shfajësohet
Prokuroria Themelore e Pejës tregoi veprimet e ndërmarra nga Kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj në këtë rast.
Kërkesat e fundit të Arlinda Zekajt për institucionet “janë trajtuar me seriozitet” dhe janë adresuar “te institucionet kompetente” tha Prokuroria a Pejës.
Sipas Prokurorisë, kryeprokurorja kishte iniciuar hetime për pretendimet e paraqitura nga Arlinda Zekaj për të vlerësuar nëse personat zyrtarë të përmendur kishin kryer vepra penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Pasi Gjykata e Pejës kishte vendosur të urdhëronte ish-bashkëshortin e Arlinda Zekajt që ta lejonte atë të kthehej në shtëpinë e përbashkët dhe pasi kishte lëshuar një urdhër mbrojtjeje, Prokuroria thotë se zbatimi ishte “përgjegjësi e Policisë së Kosovës”.
Tri ditë para vrasjes së Arlinda Zekajt, prokurori kujdestar kishte vlerësuar se kthimi në shtëpinë e përbashkët me ish-bashkëshortin mund t’ia rrezikonte jetën, bëri të ditur Prokuroria Themelore në Pejë.
Sipas Prokurorisë, gruaja kishte insistuar të kthehej në shtëpinë e saj, ndërsa prokurori i shtetit i kishte njoftuar vëllezërit e saj për rrethanat dhe kishte urdhëruar që ajo të dërgohej në shtëpinë e tyre.
Viktima, sipas Prokurorisë, fillimisht kishte pranuar të shkonte te familjarët, por të nesërmen kishte kërkuar të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e saj.
Sipas Prokurorisë, prokurori dhe hetuesit kishin planifikuar që një patrullë policore të qëndronte pranë shtëpisë gjatë kthimit të saj.
Mbrëmë, Policia ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje dhe Arlinda Zekaj, së bashku me ish-bashkëshortin e saj ishin shoqëruar në stacion policor.
“Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë”, tha Prokuroria.
Viktima, sipas Prokurorisë, kishte insistuar të kthehej në shtëpinë e saj, ku ndodhej edhe djali i saj, dhe kishte refuzuar të shkonte në një strehimore.
Policia e kishte dërguar në shtëpi me një patrullë mbrëmë rreth orës 21:00 dhe 10 minuta më pas, ajo ishte gjetur e vrarë në dhomën e saj të gjumit.
Prokuroria tha se dy ditë para vrasjes së Arlinda Zekajt kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të saj për kanosje.
Policia tani në kërkim të autorit të vrasjes
Pasi e çoi Arlinda Zekën në shtëpinë e saj për t’u njoftuar për vrasjen e saj vetëm 10 minuta më pas, Policia e Kosovës kërkon tani autorin e vrasjes së saj, Albert Sylajn.
Policia thotë tani se është duke ndërmarrë “veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe lokalizimin e arrestimin e personit të dyshuar”.
Një fotografi e autorit është publikuar nga Policia, që sot kërkon ndihmën e qytetarëve për ta lokalizuar dhe arrestuar Albert Sylajn.