Prishtina shtyn ekskursionin e maturantëve në Shqipëri shkak protestave

Situata e krijuar në Shqipëri, ku prej disa ditësh po zhvillohen protesta, ka bërë që Prishtina dhe Malisheva të shtyjnë ekskursionet e maturantëve që ishin planifikuar të realizoheshin në këtë vend.

Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë ka vendosur ta shtyjë ekskursionin e maturantëve të Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”, deri në një periudhë më të përshtatshme, kur të sigurohen kushtet e nevojshme për zhvillimin e tij në mënyrë të sigurt.

“Për këtë arsye, konsiderohet e nevojshme që realizimi i ekskursionit të shtyhet deri në një moment më të përshtatshëm, kur të sigurohen kushtet e nevojshme për zhvillimin e tij në mënyrë të sigurt”, thuhet në vendimin e drejtorit të Arsimit në kryeqytet, Arianit Elshani.

Ai ka paralajmëruar se i njëjti vendim do të merret edhe për dy shkolla të tjera të kryeqytetit, “28 Nëntori” dhe Shkollën Ekonomike.

Ndërkaq, maturantët e gjimnazeve “Xhevdet Doda”, “Eqrem Çabej”, “Sami Frashëri” dhe “Gjin Gazulli” në Prishtinë e kanë të planifikuar ekskursionin në Shqipëri për vitin e ardhshëm.

Vendim të ngjashëm ka marrë edhe Komuna e Malishevës, e cila ka shtyrë për vitin e ardhshëm ekskursionin e maturantëve të Gjimnazit “Hamdi Berisha”.

Drejtoresha e Arsimit në Malishevë, Arbëresha Krasniqi, i kishte njoftuar maturantët për këtë vendim më 20 tetor, pas konsultimeve me kryetarin e Komunës, Ekrem Kastrati, dhe drejtorin e shkollës, Aziz Mazreku.

Në njoftimin e publikuar në Facebook, Krasniqi kishte theksuar se situata aktuale në Shqipëri nuk krijon kushte të përshtatshme për realizimin e ekskursionit në këtë periudhë.

“Ju njoftoj se situata aktuale në Shqipëri, pas protestave të zhvilluara atje, nuk krijon kushtet e përshtatshme për realizimin e ekskursionit në këtë periudhë. Për këtë arsye, ekskursioni anulohet për këtë herë, me shpresën dhe dëshirën që situata të qetësohet dhe ne të kemi mundësi ta realizojmë atë në pranverën e vitit të ardhshëm”, ka shkruar Krasniqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *