Gjatë ditës së sotme, për vizitë në Kosovë do të qëndrojë Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus.
Ishte vetë kryeministri Albin Kurti që ka paralajmëruar vizita të rëndësishme gjatë ditëve të ardhshme në Kosovë. Kurti e pranoi se në këto takime do të diskutohet për planin e tij për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave.
Kryeministri tha se po i bëjnë “punët e shtëpisë” sa i përket planit për hapjen e Urës mbi Ibër në Mitrovicë.
“Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes. E liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Evropian”, tha Kurti të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë.
Po sot, në Kosovë do të qëndrojë edhe Përfaqësuesi Special i Qeverisë Federale për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Pas takimeve zyrtare që do të zhvillojë këtu, emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor do të deklarohet edhe para mediave.
Në njoftimin e bërë nga Departamendi i Medias i ambasadës gjermane në Prishtinë, thuhet se Sarrazin do të deklarohet për media në ora 18:00.
Ende nuk ka ndonjë konfirmim se më kë do të takohet.
Javën e kaluar, Kosovën e vizitoi Shefi i CIA-s, William Burns, vizitë kjo që u cilësua si historike. Burns takoi Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.
Ndërkohë, të martën në Kosovë ka qëndruar, Admirali Stuart Munsch i cili është Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.