Zyra e Presidentes së Kosovës, pas hapjes së një tenderi për 300 bileta fluturimi në tetor me vlerë 150,000 euro, ka marrë një vendim të papritur: të anulojë këtë tender dhe të hap një tjetër, këtë herë me vlerë 400,000 euro për 700 bileta, shkruan Demokracia.com.
Në një kohë kur menaxhimi efikas i fondeve publike është shumë i nevojshme, presidentja Vjosa Osmani ka hapur një tender të ri për shërbime të transportit ajror në vlerë 400,000 euro, pas anulimit të një tjetër tenderi më të vogël për 150,000 euro. Ky veprim, i cili përfshin blerjen e rreth 700 biletave fluturimi është një shpenzim i konsiderueshëm i parave publike, duke ngritur pikëpyetje mbi justifikimin e kësaj shume për një shërbim që mund të ishte menaxhuar ndryshe. Pas rritjes së papritur të buxhetit të tenderit, është e vështirë të mos mendohet se këto lëvizje janë një mundësi për shpenzime të larta që mund të ishin shmangur me një menaxhim më të kujdesshëm dhe me një planifikim më të mirë.
Para tre javëve, Zyra e Presidentes e Kosovës ka lidhur një kontratë me negocim me kompaninë “As Travel Club”, për furnizimin me 150 bileta fluturimesh për një periudhë prej 5 muajsh. Ky veprim ka ngritur paksa dyshime, duke pasur parasysh se kontrata u realizua përmes negocimit dhe jo përmes një procedure të hapur dhe të rregullt të tenderit.
Po ashtu, në tetor të këtij viti, Zyra e Presidentes kishte hapur një tender me vlerë 150,000 euro për 300 bileta fluturimi, por ai u anulua pas një periudhe të shkurtër.
Në vend të tij, tw enjtën u hap një tender i ri, këtë herë me vlerë 400,000 euro, për rreth 700 bileta.
Ky veprim ka ngritur më shumë dyshime, pasi nuk është e qartë se çfarë justifikon një rritje të tillë të vlerës së tenderit.
Tenderi për 400,000 euro kërkon shërbime të transportit ajror për Zyrën e Presidentes dhe përveç biletave ekonomike, ka specifika të tjera. Çmimi i biletës është caktuar në 390 euro, një vlerë që sipas tenderit shërben vetëm për kalkulimet dhe nuk reflekton çmimin real të kontratës. Kjo është një praktikë që ka ndodhur edhe në tenderët e mëparshëm.
Një tjetër kërkesë është se për çdo biletë që blihet, operatorët duhet të ofrojnë të paktën tri opsione fluturimi për destinacionin e kërkuar, përfshirë kompani fluturimi me kosto të ulët. Po ashtu, çdo ndryshim në çmimin e biletës ose anulimin e fluturimeve duhet të raportohen në kohë reale, duke sjellë një nivel tjetër të pasigurisë dhe mundësisë për abuzim. /Demokracia.com/