Pavarësisht se rindërtimi i rrugës “Boris Kidriç” në Tetovë u tha se do të bëhej gjatë vitit 2023, e njëjta nuk u bë në këtë afat. Komuna e Tetovës tani arsyetohet, theksuan se punimet do të fillojnë muajin e ardhshëm. Qytetarët vijojnë të përsërisin ankesat e tyre, janë lodhur nga gropat.
“Rruga është rikonsturuar, por vetëm në letër”
Qytetarët që jetojnë përgjatë rrugës Boris Kidriç dhe në afërsi thonë se kjo rrugë edhe pse një ndër rrugët kryesore të qytetit, nuk është prioritet për qytetarët.
Ata thonë se përkundër përpjekjeve të banorëve të Boris Kidriç, dhe premtimeve të autoriteteve komunale për rindërtimin e rrugës, në terren nuk ka aktivitete ndërtimore.
“Është një rrugë e rëndësishme që kalon nëpër qendrën e Tetovës dhe përgjatë saj gjenden shkolla, qendra sportive, parku dhe stacioni i autobusëve. Nuk më kujtohet rikonstruksioni i rrugës dhe i trotuareve që nga koha e Jugosllavisë. Komuna premtoi projekte pompoze me shëtitore në mes e të ngjashme, por nuk ka asgjë në terren. Deri më tani, rruga është rikonstruktuar në disa raste, por vetëm në letër”, tha një banor.
Një tjetër qytetar tha se kjo rrugë ka mbetur në harresë, edhe pse është premtuar shumë shpesh.
“Por ne rezultat nuk shohim, duhet të bëhet më shpejtë, është nga rrugët kryesore të qytetit, lidh dy bulevarde kryesore dhe shumë pika të rëndësishme. Shpresojmë që më në fund të bëhet”, tha qytetari.
Projekti u zvarrit
Komuna e Tetovës në të kaluarën prezantoi plan 3D të rikonstruimit të rrugës e cila parasheh edhe trotuar në mes të rrugës e cila do ndajë dy korsitë si dhe shteg biçikletash.
Në mars të vitit 2023, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami për TV Koha se punimet do të përfundonin brenda vitit 2023. Por kjo nuk u bë.
Ndërkaq së fundmi nga Komuna e Tetovës u arsyetuan se punimet do të fillojnë muajin e ardhshëm.
“Tenderimi është kryer për të dyja fazat, tani mungon vetëm leja nga ana e Sektorit për Punë të Brendshme për regjimin e komunikacionit. Arsyeja se pse nuk është rikonstruuar ajo rrugë deri tani është për shkak të fluksit të mërgimtarëve, tani besoj se gjatë muajit të ardhshëm do fillojmë me punë, aty parashihet të jetë me dy korsi, të zgjerohet rruga dhe në mes të ketë trotuar dhe ndriçim publik”, tha Albion Alili, zëdhënës i Komunës së Tetovës.
Por nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë theksuan se deri te ata nuk ka arritur ndonjë kërkesë.
Për ndërtimin e rrugës Boris Kidriç është përzgjedhur kompania Çabi Trans. Мë 6 shkurt 2024 Komuna e Tetovës e ka nënshkruar marrëveshjen me vlerë 7.146.737,26 denarë, kohëzgjatja e kontratës është 12 muaj. Ndërsa më 7 gusht 2024 u nënshkrua edhe një marrëveshje tjetër për të njëjtën rrugë në vlerë prej 4.874.580 denarësh me kohëzgjatje prej 12 muajsh.