Zonat për gjueti do jepen me qira, test për gjuetarët dhe gjobë deri 13,000 euro.
Ministria e Mjedisit ka propozuar një projektligj të ri për gjuetinë, i cili është hapur për konsultim publik dhe synon të rregullojë këtë aktivitet në mënyrë të qëndrueshme. Rregullat e reja, që pritet të zëvendësojnë moratoriumin aktual që skadon në gusht 2025, parashikojnë një sërë ndryshimesh të rëndësishme për gjuetinë në Shqipëri.
Zonat për gjueti do jepen me qira, test për gjuetarët dhe gjobë deri 13,000 euro
Zonat e Gjuetisë
Për herë të parë, gjuetia do të kufizohet në zona të caktuara të miratuara nga qeveria, të cilat do të jepen me qira për 10 vjet përmes një konkurrimi publik. Këto zona:
Nuk do të jenë më të vogla se 500 hektarë.
Do të jenë jashtë territoreve të mbrojtura dhe të paktën 300 metra larg zonave të banuara, qendrave ekonomike dhe objekteve publike.
Do të përdoren edhe për kultivimin e faunës së egër për gjueti, me një sipërfaqe minimale prej 50 hektarësh.
Kriteret për Gjuetarët
Vetëm individë mbi 25 vjeç me leje të rregullt për armë gjuetie, që kanë kaluar një test dhe nuk kanë precedentë penalë, do të lejohen të gjuajnë. Leja do të ketë një afat 5-vjeçar dhe do të lejojë gjuetinë vetëm me armë, duke ndaluar çdo metodë tjetër.
Masat dhe Gjobat
Për shkeljet e rregullave të reja, janë parashikuar gjoba që variojnë nga 200,000 deri në 1.3 milionë lekë. Monitorimi i aktivitetit të gjuetisë do të jetë i rreptë për të parandaluar pakësimin ose zhdukjen e faunës së egër.
Llojet e Lejuara për Gjueti
Do të lejohet gjuetia e llojeve që riprodhohen në gjendje të lirë dhe janë pjesë e një liste të miratuar nga Ministria e Mjedisit. Ndalohet gjuetia e llojeve të mbrojtura ose në rrezik zhdukjeje, përveç rasteve kur ka mbiprodhim, rrezik pandemik, ose dëme në ekonomi.
Projektligji përfshin edhe gjuetinë për qëllime kërkimore-shkencore, e cila do të kryhet vetëm me miratim të posaçëm nga ministria përkatëse.
Nëse projektligji miratohet, rregullat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 gusht 2025, duke shfuqizuar ligjin aktual të vitit 2010 për gjuetinë dhe moratoriumin ekzistues.