Dhënia e lejeve të ndërtimit për çdo projekt apo ndërtesë, nga malet e Kukësit, te zona më e rëndësishme ekonomike e vendit duke filluar nga kryeqyteti dhe brenda këtij viti edhe në perlën e jugut në bregdetin e Vlorës rreth aeroportit të ri, nuk do jenë me kompetencë e bashkive. Shumë institucione shtetërore u surprizuan pas zbulimit nga Report Tv të VKM nr. 784 të 18 dhjetorit 2024, i cili përcakton kompetenca të reja për leje ndërtimi në një rreth 15km nga aeroportet kryesore të vendit, që nga bashkitë kalojnë tek Agjencia e Zhvillimit të Territorit, por që kërkojnë autorizim edhe nga Aviacioni Civil. Bëhet fjalë për një sipërfaqe gjigande prej 2100 km² të territorit të vendit të klasifikuar si “zona e sigurisë’’ e aeroporteve ku AAC merr kompetencat edhe për çdo plan territorial.
Pra zona gjigande rrethore me diametër 30 kilometera, por të jashtëzakonshme edhe për nga rëndësia, sidomos ajo e kryeqytetit e cila përfshin thuajse 5 bashki të plota.