Një rinumërim i pjesshëm i votave të hedhura në zgjedhjet legjislative të fundjavës së kaluar në Gjeorgji ka konfirmuar fitoren e partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, deklaroi të enjten Komisioni Zgjedhor për AFP, ndërkohë që opozita denoncon një proces zgjedhor të “vjedhur”.
Ky rinumërim, i cili përfshiu rreth 12% të qendrave të votimit dhe 14% të fletëvotimeve, “nuk ka sjellë ndonjë ndryshim të rëndësishëm në rezultatet zyrtare të shpallura më parë”, sqaroi komisioni.
“Shifrat përfundimtare ndryshuan vetëm shumë pak në rreth 9% të qendrave të votimit ku votat u rinumëruan,” shtoi ai.
Partia Ëndrra Gjeorgjiane, në pushtet që nga viti 2012, doli fituese në zgjedhjet legjislative të mbajtura të shtunën e kaluar, por opozita nuk i njeh këto rezultate.
Presidentja gjeorgjiane Salome Zurabişvili, në mosmarrëveshje me qeverinë, denoncoi një sistem “të sofistikuar” mashtrimesh gjatë këtyre zgjedhjeve legjislative.
Thirrur nga prokuroria si pjesë e hetimit për këtë “shtrembërim të dyshuar”, Salome Zurabişvili njoftoi të mërkurën se nuk do të përgjigjet në thirrjen e saj.
Vëzhguesit ndërkombëtarë vunë gjithashtu në dukje parregullsi gjatë procesit zgjedhor, dhe Bashkimi Evropian ka kërkuar një hetim lidhur me këto akuza.
Ky proces zgjedhor shihet si një provë për të ardhmen evropiane të Gjeorgjisë, e cila ka ambicie për t’u bashkuar me BE dhe NATO.
Megjithëse Ëndrra Gjeorgjiane pretendon se ndjek këto objektiva, partia në pushtet akuzohet për prirje autoritare dhe dyshohet se dëshiron të afrojë vendin me Moskën.
Disa nga liderët e saj, përfshirë të fuqishmin dhe të pasurin Bidzina Ivanişvili, kanë bërë deklarata të shumta armiqësore ndaj Perëndimit.
Partia në pushtet përfiton veçanërisht nga frika e gjeorgjianëve nga lufta, pas konfliktit pesë-ditor të gushtit 2008 në Osetinë e Jugut, kur tanket e Putinit u ndalën pranë kryeqytetit Tbilisi, duke pretenduar se është e vetmja forcë e aftë për të shmangur një fat të ngjashëm për Gjeorgjinë si ai i Ukrainës, e cila po lufton kundër pushtimit rus që nga shkurti 2022.
Një fuqi historike në rajon, Rusia ka baza ushtarake në dy rajone separatiste gjeorgjiane, pavarësinë e të cilave e njohu pas konfliktit të vitit 2008: Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut.
Që nga fillimi i vitit, Gjeorgjia ka miratuar gjithashtu një legjislacion të kritikuar nga partnerët e saj perëndimorë dhe shumë të ngjashëm me ligjet represive ruse. Një prej tyre lidhet me “ndikimin e huaj” dhe ka shkaktuar protesta masive në muajin maj, ndërsa një tjetër kufizon të drejtat e personave LGBT+.