Pa kaluar 24 orë nga miratimi me konsensus i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për votën e diasporës, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk ka humbur kohë dhe ka publikuar afatet për zgjedhjet e 11 majit.
“25 shkurt përfundon afati për regjistrimin e partive politike, 7 mars përfundon afati për regjistrimin e koalicioneve, në 12 mars përfundon afati për depozitimin e listave shumemërore”,-shprehet Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Në 25 mars pritet të nisë edhe prodhimi i fletëve të votimit, që ndryshe nga parlamentaret e kaluara, kandidatët ashtu siç e përcakton edhe kodi elektoral nuk do të jenë me numra, por me emra.
“S’mund të ketë mënyrë tjetër në fletën e votimit sesa me emra”, shprehet Celibashi.
Kreu i KQZ-së shprehet se nuk do të bëjë asnjë propozim lidhur me kërkesën e opozitës që në 11 maj emigrantët të votojnë me dokumentet biometrike të vendeve ku jetojnë, por sqaroi se është në tagrin e komisionit rregullator një zgjidhje që s’u arrit në Kuvend mes palëve politike.
“Kjo nuk përjashton se Komisioni Rregullator është i pavarur nga Komisioneri Shtetëror të bëjë se çfarë ka nevojë për rregullat për votimin nga jashtë”, tha Celibashi.
I pyetur në lidhje me bllokimin që i bëri Paketës së Maleve dhe TVSH për bujqësinë, Celibashi argumentoi se këto dy nisma të Kuvendit binin ndesh me Kodin Zgjedhor që ndalon miratimin e tyre 4 muaj përpara zgjedhjeve. Kryekomisioneri i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, u tha gazetarëve se nuk lexonte asgjë në Kodin Zgjedhor lidhur me kërkesën e Berishës që të lejohen të votojnë emigrantët me dokumente të huaja në mënyrë që KQZ–ja të ndërmerrte ndonjë iniciativë në këtë drejtim.
Sipas Celibashit, Komisioni Rregullator është i pavarur nga KQZ dhe mund të bëjë dhe vlerësojë nëse ka nevojë për të bërë ndryshime në rregullat e votimit nga jashtë. Kreu i KQZ njoftoi se më 25 mars do të nisë prodhimi i fletëve të votimit. Më 25 shkurt përfundon afati për regjistrimin e partive, më 7 mars për regjistrimin e koalicioneve dhe më 12 mars ai i paraqitjes së listave shumemërore të kandidateve.
Më 20 mars përfundon afati i plotësimit të dokumentacionit të kandidatëve për deputetë. Më 11 maj, sipas Celibashit, janë 114,780 votues që do të votojnë për herë të parë. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Celibashi u shpreh se më 25 mars do të nisë edhe prodhimi i fletëve të votimit.
“Partitë politike që duan të regjistrohen dhe të jenë në garë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit kanë afat deri në 25 shkurt, ndërsa për koalicionet afati është deri në 7 mars, teksa kandidatët do duhet të regjistrohen brenda datës 12 mars. Më 25 mars nis prodhimi i fletëve të votimit”,-tha Celibashi.