Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka shkruar për takimin me stafin e misionit të KFOR-it në Kosovë, duke theksuar se Aleanca ka mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajon për më shumë se 30 vjet.
Në një postim në rrjetet sociale, Shekerinska theksoi se angazhimi i NATO-s për sigurinë e Ballkanit Perëndimor mbetet i palëkundur dhe se një rajon i sigurt i Ballkanit Perëndimor do të sjellë më shumë siguri në të gjithë zonën Euro-Atlantike.
“Ishte një kënaqësi të takoj stafin e misionit tonë KFOR. NATO ka mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajon për 30 vjet. Dhe angazhimi ynë mbetet i fortë. Një rajon i sigurt i Ballkanit Perëndimor do të thotë më shumë siguri në gjithë zonën Euro-Atlantike”, ka shkruar Shekerinska.
Ajo qëndroi për vizitë në Kosovë bashkë me Shefin e NATO-s, Mark Rutte dhe ambasadorët e Aleatëve në NATO dhe përfaqësues të vendeve të tjera që kontribuojnë me trupa të KFOR-it.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë vizitës në Kosovë takoi presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe trupat paqeruajtëse të NATO’s, KFOR.
Mesazhet kryesore të tij ishin se KFOR mbetet faktor stabiliteti në Kosovë bashkë me SHBA-në dhe që NATO do të vazhdoj të kontribuojë për sigurinë në vend dhe rajon, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Rutte tha se aleanca është e gatshme t’i përgjigjet çdo zhvillimi të sigurisë në Kosovë. Por, shefi i NATO-s u kërkoi udhëheqësve që të veprimet që ndërmarrin të mos jenë në kundërshtim të angazhimeve paraprake, teksa kërkoi nga Kosova dhe Serbia fleksibilitet dhe kompromise në dialog.
“KFOR është plotësisht i gatshëm t’i përgjigjet çfarëdo zhvillimit të sigurisë. Në këtë kuptim, presim të vazhdojmë bashkëpunimin mes Prishtinës dhe KFOR-it, në përputhje me angazhimet e dekadave të fundit.”, u shpreh ai gjatë një konference me presidenten Osmani.
Ai po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në aleancë dhe në misionin paqeruajtës në Kosovë, KFOR.
Gjatë një tryeze diskutimi në Prishtinë më 11 mars me gazetarë, pasi zhvilloi takime me krerët shtetërorë, Rutte tha misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ofron siguri dhe stabilitet për të gjitha komunitetet, por shtoi se zgjidhja për paqe afatgjatë është politike.
“SHBA-ja është e përkushtuar tërësisht në KFOR, në NATO. Presidenti [amerikan, Donald] Trump para dy javësh në Zyrën Ovale u takua me presidentin francez dhe kryeministrin britanik dhe u përkushtua për nenin 5 dhe NATO-n. E di që SHBA-ja është e përkushtuar në KFOR”, tha Rutte.