Zëdhënësi i KFOR’it, Koloneli Salvatore Mascoli, është drejtuar përmes një videomesazhi lidhur me planin e Qeverisë Kurti për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave.
Macoli ka thënë se qëndrimi i tyre është i qartë se çdo vendim për këtë çështje duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim me ndërkombëtarët, derisa ka shtuar se ndërkohë KFOR do të mbajë praninë e përhershme në urë.
Deklarata e tij vjen pasi kryeministri Albin Kurti tha dje se janë të gatshëm për hapjen e urës, por se po e presin QUINT’in dhe KFOR’in.
“Për sa i përket çështjes së mundësisë së hapjes së Urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë për automjete, qëndrimi ynë ka qenë transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim të duhur e efektiv me komunitetin ndërkombëtar. Ndërkohë, KFOR-i do të mbajë praninë e tij të përhershme në urë dhe do të vazhdojë të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth”, ka deklaruar Mascoli.
Ai ka folur edhe për aktivitetet trajnuese që janë kryer së fundi nga personi i KFOR’it në urë.
Mascoli ka thënë se janë të vendosur mirë për të adresuar çdo skenar sigurie.
“Së fundmi, disa aktivitete trajnuese janë kryer nga personeli i KFOR-it në urë. Këto ishin pjesë e aktiviteteve tona të rregullta të krijuara për të testuar procedurat operacionale afatgjatë dhe për të ruajtur standardin më të lartë të gatishmërisë së trupave tona. Ne jemi të vendosur mirë për të adresuar çdo skenar sigurie dhe për të vazhduar zbatimin efektiv të mandatit tonë të OKB-së”, ka deklaruar zëdhënësi i KFOR.
Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti tha dje gjatë një vizitë në Mitrovicën e Veriut se raporti i fizibilitetit që është kryer është gati dhe i njëjti rekomandon që Ura mund të hapet.
Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës është gatshme për hapje dhe se vetëm po pret QUINT-in dhe KFOR-in.
“Po vazhdojnë konsultimet dhe koordinimet. Jemi të gatshëm ta bëjmë hapjen dhe po e presim vetëm, QUINT-in dhe KFOR-in”, ka deklaruar Kurti.