Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës raportoi se xhandarmëria serbe e ka shkelur vijën ndarëse kufitare mes Serbisë dhe Kosovës.
Me këtë rast, Policia e Kosovës kërkoi nga autoritetet relevante ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit dhe respektimin reciprok të marrëveshjeve që ndërlidhen me menaxhimin e integruar kufitar dhe me sigurinë në përgjithësi.
Për këtë çështje, Klankosova.tv ka pyetur KFOR-in, mision i cili tha se pjesëtarët e tij monitorojnë nga afër situatën përgjatë kufirit, “nëpërmjet pranisë sonë të shtuar, patrullimeve dhe aktiviteteve të vëzhgimit”.
“Jemi në kontakt të rregullt me përfaqësues të organizatave të sigurisë së Kosovës dhe të Forcave të Armatosura të Serbisë”, ka thënë KFOR-i në përgjigjen për Klankosova.tv.
Në përgjigje saktësohet që misioni do të vazhdojë të marrë “të gjitha masat që konsiderohen të nevojshme për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar rreziqet e tensioneve dhe dhunës së përtërirë”.