I Ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane, Davis Wisner ka theksuar rëndësinë e stabilitetit, parashikueshmërinë, veçanërisht në taksa dhe mjedisin rregullator, për të nxitur më tej investimet e huaja amerikane në Shqipëri.
Në një intervistë të përbashkët për një revistë ekonomike shqiptare, me presidentin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, (AmCham) Grant Van Cleve, Wisner theksoi se investitorët amerikanë nuk duan të kenë avantazh, nuk duan trajtim të veçantë, por duan të dinë se do të jenë në gjendje të përdorin paratë e tyre në një mënyrë të drejtë dhe konkurruese.
“Duhet stabilitet, parashikueshmëri, luftë kundër korrupsionit, angazhimin dhe përkushtimin ndaj tij. Dhënia e një mundësie të drejtë për bizneset amerikane. Kjo është ajo që ata duan. Nuk ka nevojë për asgjë të veçantë për ne…Nuk duan të kenë avantazh, nuk duan trajtim të veçantë, por duan të dinë se do të jenë në gjendje të përdorin paratë e tyre në një mënyrë të drejtë dhe konkurruese”, deklaroi i Ngarkuari me Punë, David Wisner.
Ai foli dhe për tre prioritetet e ambasadës amerikane në vendin tonë.
“Njëri është ndërtimi i lidhjeve të mbrojtjes. Së dyti është ndërtimi i demokracisë në Shqipëri, dhe së treti janë lidhjet biznes me biznes, që mendoj se është fokusi kryesor i diskutimit tonë këtu”, tha Wisner.
Wisner tha se po ashtu punohet për të nxitur shqiptarët të investojnë në Shtetet e Bashkuara. “Sepse janë këto investime të rëndësishme që në fund të fundit do të afrojnë më shumë vendet tona, duke u ndërtuar mbi marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi prej më shumë se njëqind vjetësh mes nesh”, shtoi ai.
Presidenti i AmCham vlerësoi se regjimi rregullator në vendin tonë po përmirësohet. Ai thotë se taksat ndoshta nuk janë më të mirat në rajon, por janë ende konkurruese.
“Dhoma Amerikane e Tregtisë këtu bën një indeks biznesi dhe ai po lëviz në drejtimin e duhur. Fatkeqësisht, ende është nën 50% të perceptimit të biznesit, por besoj se klima është në fakt më e mirë se kaq. Besoj se po ndodhin disa ndryshime legjislative. Përmenda më parë fjalën “jetueshmëri””, nënvizoi ai.
Ai është i mendimit se njerëzit janë të interesuar të jetojnë këtu.
“Mund të ketë nomadë dixhitalë, punëtorë në distancë, shefa ekzekutivë dhe zyra rajonale që do të mendonin seriozisht për të jetuar në Shqipëri. Mendoj se regjimi rregullator po përmirësohet. Taksat ndoshta nuk janë më të mirat në rajon, por janë ende konkurruese. Po ngjitemi edhe 4 ose 5 pikë në indeks. Ky është një lajm i mirë, diçka për t’u emocionuar. Por ende ka shifra që tregojnë se ka sfida”, tha ai.
Cleve vë theksin te informaliteti.
“Ne ende kemi informalitet në ekonomi. Një përqindje shumë e lartë operon në mënyra që nuk kontribuojnë në sistemin e taksave. Kjo e bën më të vështirë për kompanitë. Ende kemi probleme me titujt e pasurive të paluajtshme, që janë sfiduese. Ende kemi probleme me inspektimet. Të gjitha këto kanë kosto për biznesin. Por pjesa më e keqe është se krijojnë hezitim, e dini, ashtu si kur je në makinë dhe ke këmbën te gazi apo te frenat. Ka mënyra që nuk do të ishte shumë e vështirë që Shqipëria t’i bënte investitorët ta hiqnin këmbën nga frenat dhe t’i jepnin gaz, por kjo kërkon punë. Besoj se ka një vullnet në qeveri për të ndryshuar disa nga këto gjëra“, u shpreh ai.
Investimet amerikane në vendin tonë janë trefishuar në vitet e fundit, duke arritur deri në 300 milionë dollarë. Nga ana tjetër është shënuar dhe një rritje prej 60% e eksporteve amerikane në Shqipëri vetëm vitin e kaluar.