Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se e kishte të vështirë të duronte faktin që Maqedonia e Veriut votoi për rezolutën e Kombeve të Bashkuara për shpalljen e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
“Maqedonia e Veriut më goditi fort. Unë kam investuar më së shumti në marrëdhëniet me vëllezërit tanë maqedonas, por kjo nuk ishte e drejtë. Doli që Greqia ka më shumë korriz se Shkupi”, tha Vuçiq.
Rezoluta u propozua nga Gjermania dhe Ruanda dhe u sponsorizua nga 34 vende të tjera, përfshirë Maqedoninë. Në votimin e së enjtes, 84 anëtarë të OKB-së mbështetën rezolutën, 19 ishin kundër dhe 68 vende abstenuan.
“Më turpëroi më së shumti sjellja e Malit të Zi lidhur me rezolutën. Nuk më zhgënjeu sepse prisja që të votonte ‘pro’. Por Maqedonia e Veriut më goditi më shumë se Mali i Zi”, theksoi Vuçiq.
Më 11 korrik 1995, forcat serbe hynë në Srebrenicë, e cila ishte nën mbrojtjen speciale të OKB-së, dhe më pas vranë më shumë se 8,000 burra dhe djem myslimanë. Si Serbia ashtu edhe Republika Srpska mohojnë se gjenocid ka ndodhur në Srebrenicë, edhe pse është përcaktuar kështu nga dy gjykata të OKB-së.