Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur sot fjalim në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore që është mbajtur në Dubrovnik të Kroacisë.
Sipas burimeve të Reporteri.net, nga fjalimi i Osmanit, është ndjerë në siklet Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, meqë Osmani ishte përballë tij kur po fliste për krimet e kryera nga Sllobodan Millosheviqi, ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Para liderëve rajonalë, Osmani ka thënë se ishte pikërisht kjo qasje pajtuese ndaj agresorit që çoi në luftëra më të tmerrshme, fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë dhe më pas në Kosovë.
Shumë prej nesh rreth kësaj tavoline e kujtojnë se si, në fillim të viteve nëntëdhjetë, pavarësisht nga luftërat e zhvilluara kundër Kroacisë dhe Sllovenisë, Millosheviçi ende quhej “paqëbërësi” ose “djaloshi pa të cilin paqja është e pamundur”. Ishte pikërisht kjo qasje pajtuese ndaj agresorit që çoi në luftëra më të tmerrshme, fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë dhe më pas në Kosovë. Në fund të fundit, pajtimi me një autokrati u pagua me gjakun e mbi njëqind mijë civilëve të pafajshëm”, ka thënë Osmani, sipas burimeve.
Osmani theksoi se edhe 25 vjet pas paqes, ende ka “forca të errëta nga e kaluara”, që duan të ndjekin modelet ruse të aneksimit, duke aluduar për Serbinë.
”Megjithatë, edhe 25 vjet pas paqes në Ballkan, e arritur përmes ndërhyrjes së NATO-s, shohim forca të errëta nga e kaluara, të cilat duan të ndjekin modelet ruse të aneksimit, propagandës, dezinformimit dhe destabilizimit”, ka thënë Osmani.
Në fjalimin e saj, Osmani ka theksuar këmbënguljen e Kosovës për t’u rreshtuar krah NATO-s, për ta sanksionuar Rusinë, që ka ndikuar në disponimin e Aleksandar Vuçiqit.
Presidentja i ka konfirmuar presidentit ukrainas mbështetjen e Kosovës, duke i theksuar faktin se populli ynë me historinë e tij të dhimbshme shtyen që të zgjas dorën e ndihmës.
”Nuk ka qenë kurr më e thjeshtë, sepse në fund të fundit duke luftuar për një Ukrainë të lirë, ne po luftojmë gjithashtu për paqen tonë dhe lirinë. Ne po luftojmë për një Evropë të lirë”, mësohet të jetë shprehur presidentja Vjosa Osmani.
Osmani ka marë pjesë në këtë Samit me ftesë të Kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenković.