“Ai është marrë në burg me një brinjë të thyer, në gjendje kritikë, nuk mund të merrte frymë lirshëm, është i traumatizuar. Atë që dimë tani është se e kanë vendosur në Burgun Qendror dhe aty nuk ka trajtimin e duhur mjekësor, sepse gjendja e tij është shumë e rëndë, atij i ka rënë disa herë të fikët”, tha Sanduloviç, për RTK.

Ajo thotë se ishte në Kroaci për pushime kur ka dëgjuar rastin, për rrahjen e babait.

“Presidenti Aleksandar Vuçiç, është 100 për qind përgjegjës për rrahjen e babait tim. Ai është kërcënuar disa herë. Atë e quaj diktator, kam thënë se do të bëjmë padi, sepse është sulm ndaj të drejtave të njeriut”, tha Sanduloviç, duke shtuar se kërcënimet ndaj babait janë të shumta, gjatë vitit 2020 prestarët e BIA-s e bastisën dhe e arrestuan për disa ditë, babain e saj, nga ku u kthye me një gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas saj, ndaj kësaj rrahje kanë reaguar vetëm faktori ndërkombëtar, por jo ai në Serbi. Ajo falënderon të gjithë ata që kanë reaguar ndaj rrahjes së babait të saj.

Familjarët e Sanduloviç thonë se ai dyshohet se është paralizuar dhe ka shenja dhe lëndime të shumta. Kryetari i Partisë Republikane Serbe ishte marrë peng nga shtëpia e tij dhe ishte mbajtur për disa orë nga shërbimi sekret serb ku edhe është rrahur brutalisht. Opozitari serb, Nikola Sanduloviç muaj më parë kishte vizituar Kompleksin Memorial në Prekaz ku ka bërë homazhe te varrezat e Jasharajve. Sanduloviç tha se është politikani i vetëm serb, i cili ka kërkuar falje për krimet e bëra nga Serbia.