Armen Sarkisyan, themeluesi i batalionit vullnetar “Arbat” të angazhuar në Donbass, vdiq sot. Kështu raporton gazeta ruse “Kommersant” e cila flet për një shpërthim që ndodhi mëngjesin e sotëm në një pallat shumëkatësh në veriperëndim të Moskës. Batalioni që drejtonte Sarkisyan mban emrin e një rruge historike në Moskë.
Shkaku i vdekjes thuhet se ishte një plagë e thellë në gjoks në zonën e zemrës. Sot në mëngjes Sarkisyan u shtrua në spital në gjendje të rëndë pasi një bombë shpërtheu në kompleksin rezidencial Alye Parusa.
Sarkisyan ka qenë i pranishëm që nga viti 2015 në uebsajtin ukrainas “Mirotvorets”, i cili e akuzoi atë për “minim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës” dhe pjesëmarrje në operacionin special ushtarak rus kundër Ukrainës.
Shpërthimi i 3 shkurtit është më i fundit në një valë shpërthimesh dhe sulmesh, duke ngjallur frikë për rikthimin e dhunës së bandave që kishte përfshirë kryeqytetin rus në vitet e ’90-ta.
Dëshmitarët thanë se në kohën e shpërthimit, Sarkisian u pa duke ecur në një korridor të ndërtesës drejt një parkimi.
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.
Gazeta Kommersant raportoi se truproja i tij, Oleg Kasperovich, u vra dhe një truprojë tjetër u plagos rëndë.
Batalioni që Sarkisian thuhet se e ka themeluar quhet ArBat, tani formalisht pjesë e Redut, një rrjet mercenarësh të mbështetur nga inteligjenca ushtarake ruse.
Autoritetet ukrainase e kanë akuzuar Sarkisianin për përfshirje në dhunën e protestave të rrugës Maidan në Kiev në vitin 2014.
Sipas mediave ukrainase, ai gjithashtu është mik i ngushtë i ish-presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych, i cili iku në Rusi pas protestave të Maidanit në vitin 2014.
Në prill të vitit 2018, Sarkisian u ndalua në Francë, ku po priste ekstradimin në Ukrainë. Megjithatë, ai u lirua pas dy ditësh “me garanci personale”.
Shpërthimi i së hënës është i dyti në muajt e fundit në kryeqytetin rus që ka tronditur banorët dhe ka ngjallur frikën për rikthimin e dhunës në rrugë që Moska e përjetoi gjatë viteve ‘90.
Në dhjetor, një gjeneral i lartë i forcave ruse të mbrojtjes kundër armëve kimike dhe biologjike u vra kur një skuter elektrik shpërtheu në trotuar pranë ndërtesës së tij.