Pak metra larg shtëpisë ku u rritën e ndan gjithçka bashkë në fshatin Rracaj të Gjakovës prehet trupi i së motrës, Liridona Ademaj.
30-vjecarja u privua nga jeta mbrëmjen e 29 nëntorit në Prishtinë vitin që lam pas, e si të akuzuar për vrasjen e saj është bashkeshorti i saj, Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.
Planifikimi, organizimi dhe bashkëkryerja e vrasjes së rëndë të bashkeshortes në mënyrë dinake, dyshohet se u bë nga vetë Murseli.
Varrin e Liridonës, vëllai Leonardi e viziton shpesh, për të larguar sado pak dhimbjen që i peshon sa një mal i tërë. Në heshtje, me buzën e shtrënguar ai mundohet të përmbahet nga lotët para varrit, për tragjedinë që u piku si nga qielli.
Shtëpia pa Liridonën i duket bosh, njësoj si zemra që pas ikjes së saj.
Në një rrëfim për IndeksOnline, Leonardi tregon për biseden e fundit që pati me Liridonën dhe shumëçka tjetër rreth rastit.
Liridona pas vetes la dy fëmijë 4 dhe 7 vjeç, e pyetja më e shpeshtë e tyre është pse babai i tyre nuk e ndihmoi dot nënën e tyre në natën kritike, pa e ditur se po ai ua këputi krahët në të cilët gjenin ngrohtësinë e dashninë si askund tjetër.
Diari dhe Dioni për herë të fundit ishin veshur e përgatitur nga duart e nënës, për t’iu gëzuar tryezës familjare, e cila doli të jetë e fundit, e kthyer në makth.
Tani, për ta po kujdeset shteti suedez.
Tutje, Leonardi thotë se Liridona nuk ishte ankuar të kishte ndonjë problem me bashkëshortin e saj, andaj gjithçka për ta erdhi si rrufe.
Ndonëse kanë kaluar muaj të tërë, prokuroria ende nuk ka ngritur aktkuzë ndaj të pandehurve të cilët organizuan vrasjen e saj. Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava vazhdojnë të qëndrojnë prapa grilave, me akuzat se privuan nga jeta Liridonen mbrëmjen e 29 nëntorit.
Për Leonardin dhe familjen dhimbja nuk shuhet dot. Madje ajo shtohet përditë. Përmes kësaj fotografie, Leonardi çmallet sado pak, duke kujtuar momentet më të mira që motra i la… me shpresën që ata që kryen aktin të marrin dënimin e merituar.