Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të premten në fshatin Bibaj të Ferizajt, një person u vra në parkingun e sallës e dasmave “Fron Palace”. Viktima S.S i moshës 89-vjeçar dyshohet se u vra nga një zyrtar policor, vrasja dyshohet se është kryer me armë zyrtare, ndërsa i dyshuari ishte jashtë orarit të punës.
Pak orë pas vrasjes, në rrjetet sociale u shpërnda identiteti i personit të vrarë dhe dorasit, viktima ishte axha i Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjithashtu, sot disa media raportuan se presidentja Osmani dhe bashkëshorti i saj kanë qenë në dijeni lidhur me rastin, dhe se vrasja ka ndodhur për arsye morali.
Nga presidenca e Kosovës kanë mohuar këto raportime, duke i quajtur shpifje.
Këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina tha për Telegrafin se presidentja ka kërkuar nga institucionet e sigurisë ta trajtojnë me urgjencë këtë çështje.
“E gjithë kjo është shpifje me qëllim të implikimit të Presidentes në situata për të cilat as nuk ka njohuri e as lidhje. Presidentja dhe as Zotëria i Parë nuk përdorin asnjë grup komunikimi në asnjë rrjet social. Kjo është tërësisht e pavërtetë dhe tendencioze. Kjo tendencë është me me qëllim të qartë denigrimi dhe rrezikimi të jetës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë. Presidentja do t’i kundërshtoj me çdo mjet ligjor këto tendenca dhe tashmë ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që ta trajtojnë këtë me urgjencë”, ka pohuar Kupina.
Ai ka shtuar se “Tendenca për të ndërlidhur rastin e mbrëmshëm me Presidenten dhe familjen e saj të ngushtë e shndërron atë në një objektiv, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Kjo nuk ka të bëj me standard profesional të raportimit në media”.
“Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në mënyrë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet”.
Ndryshe, Major Qazim Reka, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Ferizajn, ka konfirmuar se ngjarja ka ndodhur sonte rreth orës 19:25, në parkingun e sallës së dasmave.
“Më 16.08.2024, ne ora 19:25, në rrugën “Engjell Zefi” në fshatin Bibaj komuna Ferizaj, në parkingun e sallës së dasmave “Fron Palace“ ka ndodhur një vrasje. Me të marrë informacionin, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet policore reaguese dhe hetuesit”, ka deklaruar Reka.
Lidhur me rastin kanë reaguar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët konfirmuan se i polici i dyshuar për vrasje është dorëzuar.
“Bazuar në informacionet fillestare dyshohet se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast kishte shkuar në këtë lokacion dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë. I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) pas kryerjes së veprës penale është vet-dorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast”, njofton IPK.
Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitet tjera policore kanë deklaruar se do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të rrethanave të këtij incidenti të rëndë.
Gjithashtu, IPK-ja ka njoftuar se lidhur me rastin ka arrestuar edhe personin e dytë të dyshuar. Të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48-orë, ndërsa prokuroria tashmë ka nisur hetimet.