Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është rizgjedhur për një mandat të dytë në krye të këtij institucioni, pasi mori mbështetjen e 401 eurodeputetëve nga 720 gjithsej, duke tejkaluar pragun e nevojshëm prej 361 votash.
Në fjalimin e saj para votimit, Von der Leyen prezantoi prioritetet për mandatin e ardhshëm, duke theksuar rëndësinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ajo përmendi 20-vjetorin e zgjerimit më të madh të BE-së si një moment reflektimi dhe theksoi se BE-ja duhet të përmbushë premtimet e bëra bazuar në traktatet.
Von der Leyen argumentoi se një BE më e fortë dhe më e zgjeruar do t’i jepte Evropës më shumë ndikim në skenën globale dhe përsëriti se procesi i zgjerimit do të mbetet i bazuar në meritat individuale të kandidatëve. Ajo premtoi rritjen e përpjekjeve për përgatitjen e vendeve kandidate përmes investimeve dhe reformave, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë.
Pas rizgjedhjes, Von der Leyen planifikon të emërojë një komisionar të përkushtuar për zgjerimin. Ajo përmendi suksesin e BE-së në integrimin e vendeve të reja anëtare në vitin 2004 dhe shprehu besimin se BE-ja mund të përballet me sfidën e zgjerimit përsëri.
Gjithashtu, ajo paralajmëroi emërimin e një komisionari të posaçëm për Mbrojtjen dhe një tjetër për Mesdheun, duke i konsideruar këto fusha si sfida dhe prioritete për BE-në.