Vllaznia ka lënë shpejt pas krahëve zhgënjimin e humbjes me Egnatian, pasi ka siguruar një fitore të rëndësishme në transfertë me shifrat 3-1 përballë Teutës.
Gjithçka ishte meritë sidomos e një pjese të parë, ku shkodranët vunë në vështirësi të vazhdueshme prapavijën e durrsakëve, të ndëshkuar që në minutën e dytë me Malën. Dodaj fitoi penalltinë që e ktheu në gol Balaj e më pas vetë talenti shkodran goditi shtyllën, me vendasit që u zgjuan vetëm në fundin e fraksionit të lojës.
Në pjesën e dytë, një gol spektakolar i Dodajt thelloi diferencën për shkodranët. Por Teuta provoi të reagonte dhe pasi gjeti një gol të bukur me Beshirajn, u mundua të shtynte më shumë para drejt sulmit. Megjithatë, rreziqet para Jukajt nuk ishin të shumta dhe kështu shkodranët siguruan tre pikë që i bëjnë të hedhin hapa të rëndësishëm në renditje. Kurse durrsakët, kthehen të shohin edhe një herë hijet e zonës së ftohtë të renditjes dhe luftës për mbijetesë.
TEUTA-VLLAZNIA 1-3
60′ Beshiraj / 2′ Mala, 23′ (p) Balaj, 47′ Dodaj
NGJARJET KRYESORE
90’+4’ Hamiti mbyll ndeshjen, por pret disa sekonda për shqyrtimin nga VAR të një episodi të Kahrimanoviç në zonë ku ai nuk kishte dhënë penallti. Konfirmohet vendimi i fushës dhe sfida mbyllet. (VIDEO)
90’+1’ Kahrimanoviç merr vendin e Deliut në radhët e Vllaznisë.
90’ Jepen 3 minuta shtesë.
87’ Kotobelli ekzekuton një goditje dënimi nga e djathta e sulmit, kalon sferën mbi traversën e portës së Jukajt. (VIDEO)
87’ Deliu ndëshkohet me karton të verdhë.
86’ Kundërsulm i shpejtë i Grudës i cili shfaqet para Tafas, gjuajtja e tij ndalet nga portieri. (VIDEO)
84’ Mensah niset në kundërsulm i vetëm drejt portës, Simeu rikuperon dhe ia del të devijojë sferën në këndore.
82’ Një harkim nga e djathta e sulmit nuk shfrytëzohet nga Gruda i cili me kokë para portës e dërgon topin jashtë. (VIDEO)
81’ Boçi nga e majta merr fundoren, pasimi në qendër i tij ndalet nga Stojanoviç.
78’ Boçi hyn në fushë në vend të Llocit në radhët e Teutës.
78’ Gruda dhe Mensah marrin vendin e Malës dhe Çobës në radhët e Vllaznisë.
76’ Harkim i Peposhit nga një goditje dënimi, sfera shkon direkt në duart e Jukajt.
72’ Tjetër top në thellësi për Tomën, Stojanoviç dhe Repaj ia dalin të bllokojnë sulmuesin.
71’ Toma dhe Demirçani provojnë të krijojnë rrezikshmëri në zonë, mbrojtja shkodrane spastron rrezikun.
70’ Dodaj i lë vendin në fushë Repajt në radhët e Vllaznisë.
67’ Beshiraj dhe Torraj i lënë vendin në fushë Peposhit dhe Demirçanit në radhët e Teutës.
64’ Vila shfaqet përsëri rrezikshëm në krahun e djathtë, pasimi i tij në qendër shkon në duart e Jukajt.
60’ GOOOL TEUTA! Një top në thellësi direkt nga mbrojtja nënvlerësohet nga prapavija shkodrane dhe shkon te Beshiraj i cili nuk gabon para Jukajt. (VIDEO)
59’ Beshiraj ul topin për Torrajn i cili gjuan nga jashtë zonës, pa ia dalë të gjejë portën.
58’ Protesta të shkodranëve për ndërhyrje të gabuara ndaj lojtarëve të tyre në kundërsulm, por Hamiti bën shenjë që loja të vazhdojë.
52’ Kruja nga e djathta pason mirë në qendër, Krymi largon sferën para Jukajt. (VIDEO)
47’ GOOOL VLLAZNIA! Dodaj tregon edhe një herë aftësitë e tij teksa në kufijtë e zonës harkon një gjuajtje të pakapshme për Tafas. (VIDEO)
46’ Pjesa e dytë nis me zëvendësim të dyfishtë te Teuta, pasi Zogos dhe Vila futen në fushë në vend të Markut dhe Mingos.
45’+2’ Mbyllet pjesa e parë me shifrat 2-0 për Vllazninë.
45’+1’ Jukaj shmang golin e vendasve! Pas një harkim të Beshirajt nga e djathta, Lloci në qendër gjuan befasishëm para portës por gjen përgjigjen e portierit i cili devijon topin mbi traversë. (VIDEO)
45’ Jepen 2 minuta shtesë.
40’ Mala gjen Deliun i cili futet lehtësisht në qendër të mbrojtjes së Teutës. Por gjuajtja e tij ndalet përsëri nga Tafas i cili shmang golin e tretë. (VIDEO)
36’ Pas një goditje dënimi në favor të Teutës, topi harkohet në zonë por Lloci gabon duke goditur me gju Jukajn për të shkaktuar faull teksa u ndëshkua me karton të verdhë për këtë ndërhyrje. (VIDEO)
35’ Beshiraj merr një pasim në zonë, por nuk rrotullohet për të gjuajtur, i ndalur saktësisht nga Stojanoviç.
33’ Kruja nis Maçollin në kundërsulm, Mala e ndjek dhe arrin të ndalë futbollistin e durrsakëve duke mos e lejuar të shfaqet rrezikshëm para Jukajt.
29’ Pas një goditje këndi, Balaj gjuan me kokë por çon sferën në duart e Tafas.
28’ Tafas vendimtar këtë herë, pasi ndal një gjuajtje të Çobës i cili ishte shfaqur i vetëm në zonë. (VIDEO)
25’ Tjetër zbritje e shpejtë e Vllaznisë me Dodajn, gjuajtja e tij në të majën kalon Tafas, por ndalet nga shtylla e portës së Teutës. (VIDEO)
23’ GOOOL VLLAZNIA! Balaj shënon me penallti. (VIDEO)
22’ Kundërsulm i shpejtë i Vllaznisë, Çoba kalon topin te Dodaj i cili ndalet në mënyrë të parregullt nga Tafas. Hamiti nuk ka dyshime dhe tregon nga pika e bardhë e penalltisë. (VIDEO)
16’ Balaj ul topin për Malën i cili gjen hapësirën për të gjuajtur, por çon sferën larg portës durrsake.
12’ Rast i artë i Teutës me Torrajn i cili pason në qendër për Beshirajn, por ky i fundit nuk gjen devijimin në momentin e duhur dhe sfera shkon në duart e Jukajt. (VIDEO)
7’ Karton i verdhë për Dodajn i cili godet me bërryl Krujën gjatë një sprinti. (VIDEO)
4’ Top në thellësi i durrsakëve, Jukaj del në kufijtë e zonës dhe kontrollon sferën. (VIDEO)
2’ GOOOL VLLAZNIA! Pas një harkimi të Gurishtës, Mingo devijon topin duke ia dhuruar Malës i cili nuk fal para portës dhe tund rrjetën. (VIDEO)
1’ Nis dueli në “Niko Dovana”.
FORMACIONET ZYRTARE
Teuta: Tafas, Marku, Simeu, Kotobelli, Kruja, Maçolli, Lloci, Mingo, Toma, Torraj, Beshiraj.
Trajner: Bledar Devolli
Vllaznia: Jukaj, Gurishta, Krymi, Stojanoviç, Jago, Sala, Deliu, Mala, Çoba, Dodaj, Balaj.
Trajner: Tomas Brdariç