Vllaznia do të rikthehet në aksion shumë shpejt, ditën e martë do të luajë “aktin” e dytë përballë Elbasanit brenda pak ditësh. Këto dy skuadra do të ndeshen sërish në “Loro Boriçi” për çerekfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë, pas barazimit 0-0 në 90- minutëshin e parë të luajtur në Elbasan. Gjithçka është e hapur në këtë rast, por shkodranët, përveç avantazhit të fushës, kanë edhe shifrat e sezoneve të fundit në favor të tyre. Të paktën sa u takon 4 edicioneve të fundit të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia ka arritur të kualifikohet gjithmonë në turin gjysmëfinal. Ky është një ogur i mirë edhe për sfidën e së martës, por vlen të theksohet edhe fakti se Elbasani është shumë i fortë, siç u pa edhe në kampionat.
SHIFRAT – Sezonin 2020- 2021 kuqeblutë kalonin në çerekfinale të Kupës një kundërshtar si Korabi. Kualifikimi vendosej me një takim dhe Vllaznia fitonte 1-0 me gol të Krujës. Në sezonin 2021-2022 ishte Flamurtari kundërshtari i Vllaznisë, që fitonte në Vlorë 1- 2, me dy gola të Mustadanagiç. Boshnjaku ishte protagonist edhe në ndeshjen e kthimit, ku me golin e tij do t’i jepte fitoren 1-0 Vllaznisë në Shkodër. Edhe në edicionin 2022-2023 Vllaznia e pa veten në gjysmëfinale, pasi eliminoi Partizanin në çerekfinale. Ndeshja e parë në Shkodër përfundoi 3-1, me një dopietë të Kainas dhe golin e Çobës. Për Partizanin ishte e pamjaftueshme fitorja 1-0 në Tiranë. Edicionin e shkuar kuqeblutë do të kalonin jo pa vështirësi në gjysmëfinale të Kupës, kësaj radhe ndaj Erzenit. Shijakasit fituan 2-1 ndeshjen e parë në shtëpi, ku për shkodranët realizonte Smajli. Në kthim, 90 minutat e rregullta do të përfundonin po ashtu 2-1, me gola të Balajt dhe Malës. U deshën 30 minutat shtesë për të caktuar ekipin që kualifikohej, me Vllazninë që do të dominonte. Tripleta e Gomes dhe po ashtu një gol tjetër i Balajt i çuan shifrat në 6-1.