Viti 2025 nuk pritet të jetë më pak kaotik se vitet e mëparshme, duke marrë parasysh luftërat në zhvillim në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, aleancat e reja ndërmjet regjimeve autoritare dhe, sigurisht, rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Politikat e tij të jashtme do të kenë një ndikim të madh në çështjet globale, sipas një analize të AFP.
Megjithëse çdo zhvillim nuk mund të shihet vetëm në dritën e rikthimit të tij në krye të fuqisë më të madhe botërore, diplomacia e tij do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm, sidomos në lidhje me dy krizat kryesore ndërkombëtare: luftën në Ukrainë dhe konfliktin në Lindjen e Mesme.
Po kështu, aleancat midis Rusisë dhe Koresë së Veriut, si dhe midis Rusisë dhe Iranit, mund të kenë pasoja të mëdha për rendin botëror.
AFP ofron një analizë të përgjithshme mbi “pikat e nxehta” të vitit 2025:
Gaza
Pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, rajoni është zhytur në flakë dhe gjak, duke u afruar gjithnjë e më shumë një lufte të përgjithshme.
Përshkallëzimi duket ende nën kontroll midis Izraelit dhe Iranit, i cili është mbështetësi kryesor i Hamasit dhe Hezbollahut. Por pyetja mbetet: deri kur?
I inkurajuar nga fitoret e tij në terren dhe rikthimi i Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, qeveria izraelite duket edhe më pak e gatshme për të arritur një zgjidhje politike me palestinezët.
Emërimi i mbështetësve të zjarrtë të kolonive izraelite, si Mike Huckabee, i cili do të jetë ambasadori i ardhshëm amerikan në Izrael, sugjeron një mbështetje të pakushtëzuar për qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Konflikti në Gaza mund të përfundojë në një lloj vakumi, me Izraelin që vendos një zgjidhje ushtarake dhe mban trupa në Gazë pa ndërmarrë hapa drejt një zgjidhjeje politike,” tha Michael Horowitz, analist në firmën e sigurisë “Le Beck International”.
Ai shtoi se administrata e ardhshme amerikane do të përpiqet gjithashtu të përfshijë Arabinë Saudite në Marrëveshjet Abraham, të cilat normalizojnë marrëdhëniet midis Izraelit dhe vendeve arabe. Megjithatë, për sa kohë që lufta në Gaza vazhdon, një marrëveshje e tillë duket pak e mundshme.
Ukraina
Kur Donald Trump të kthehet në Zyrën Ovale, pushtimi rus në Ukrainë do të ketë hyrë në vitin e tretë. Ukraina gjendet në një situatë tepër të vështirë, duke vuajtur nga mungesa e trupave ushtarake dhe duke qenë e varur plotësisht nga ndihma perëndimore për t’u përballur me një Rusi që fiton terren në lindje dhe mbështetet nga armë dhe ushtarë të Koresë së Veriut.
Presioni ndaj Kievit për të nisur negociatat po rritet, ndërsa Moska i sheh ato si një formë kapitullimi për Ukrainën.
Trump ka deklaruar më parë se mund ta zgjidhë konfliktin “brenda 24 orësh”. Megjithatë, qëndrimi i tij miqësor ndaj presidentit rus Vladimir Putin gjatë mandatit të parë, emërimi i kritikëve të Ukrainës në administratën e tij të ardhshme, si Tulsi Gabbard (e propozuar për drejtoreshë të Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës), dhe mbi të gjitha, kërcënimi për ndërprerjen e mbështetjes ushtarake amerikane, janë arsye për shqetësim të madh për Kievin.
Mbështetësit e Trump-it bllokuan një ndihmë prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën në Kongres për pothuajse një vit, duke treguar se politika e ardhshme amerikane mund të jetë shumë më pak mbështetëse ndaj Kievit.
Koreja e Veriut
Ky shtet me armë bërthamore, i mbyllur nga bota, ngjall shqetësime të mëdha. Në vitin 2024, Pheniani ka intensifikuar testet e raketave balistike dhe ka forcuar marrëdhëniet me Rusinë.
Koreja e Veriut dhe Rusia kanë nënshkruar një marrëveshje mbrojtjeje reciproke, dhe Pheniani ka dërguar rreth 10,000 ushtarë për të luftuar në Ukrainë.
“Putin kërkon ushtarë dhe municione nga Koreja e Veriut, ndërsa Pheniani kërkon teknologji ushtarake,” tha Fyodor Tertiskiy, një studiues në Carnegie.
Sipas tij, Pheniani po përgatitet për veprime që nuk janë parë më parë, duke përfshirë braktisjen e çdo ideje për ribashkim me Korenë e Jugut.
Taiwani
Në Azi, Tajvani mbetet një tjetër pikë potenciale për një konflikt global. Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe nuk përjashton përdorimin e forcës për të marrë kontrollin e ishullit.
Në vitet e fundit, Pekini ka rritur presionin ushtarak, duke dërguar çdo ditë avionë luftarakë, drone dhe anije përreth Tajvanit.
Shtetet e Bashkuara janë mbështetësi kryesor i sigurisë së Tajvanit, edhe pse nuk e njohin zyrtarisht diplomatikisht si shtet të pavarur.
Emërimi i Marco Rubio si Sekretar i Shtetit në administratën e Trump, një kritik i ashpër i Kinës, tregon për një përballje të ashpër midis Uashingtonit dhe Pekinit. Në të njëjtën linjë, Mike Waltz, i cili pritet të jetë Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, ka deklaruar se SHBA ndodhet në një “luftë të ftohtë me Partinë Komuniste Kineze”. Ai ka bërë thirrje për armatosjen e menjëhershme të Tajvanit.
Në një klimë të tillë, Tajvani mund të bëhet epiqendra e një konflikti të madh botëror në të ardhmen e afërt.