Në kantierin e Galerisë Kombëtare të Arteve, në kryeqytet, punimet janë tashmë në një fazë të avancuar dhe punimet pritet të mbarohen në fund të tetorit.
Ngrehina e vjetër, ndërtim i viteve’70 kishte probleme të rënda strukturore, dhe nuk përmbushte më asnjë lloj standardi për ekspozimin dhe ruajtjen e veprave të artit apo për zhvillimin e eventeve kulturore.
Me punimet e realizuara deri më tani, të konceptuara nga Studio projektuese “Atelier 4”, janë shumëfishuar në sipërfaqe, hapësira të rëndësishme si; salla e ekspozimit, e cila është dyfishuar; hapësira e ruajtjes së veprave dhe dixhitalizimit, që është trefishuar apo hapësira për aktivitete social-kulturore, e dhjetëfishuar. Veç tyre janë shtuar edhe salla të veçanta për skulpturë, pikturë, vizatime, qeramike etj, si edhe dhoma restaurimi me akses direkt nga ashensorët për vepra me përmasa të mëdha.
Për t’u njohur me ecurinë e deritanishme, ishte në kantier Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja.
“Jemi në faza të avancuara punimesh. Është kryer rreth 40% e punimeve, por është pjesa më komplekse që është kryer dhe pjesa që në preventiv ka zënë një vend më të vogël. Pjesa që vjen tani, montohet më shpejt dhe zë një vend më të madh në preventiv. Jemi në një moment të kënaqshëm të ecurisë së punimeve. Po punohet në të dyja objektet, në objektin e vjetër dhe objektin e ri. Kanë mbaruar gjithë përforcimet. Godina ka pasur probleme të rënda strukturore, ndërtim i viteve ‘70, por me të vërtetë ndërtuar shumë pa cilësi. Shumë punë për riforcimin”
Sipërfaqja e eventeve dhe aktiviteteve nga projekti është dhjetëfishuar me çfarë ka pasur mundësi të bënte Galeria e Arteve dikur. Sipërfaqja ekzopozuese mbi gati trefishuar. Sipërfaqja arkiva, konservim katër-pesëfishuar.” – shpjegoi Ministri Gonxhja, teksa theksoi ndër të tjera se po punohet me konservimin dhe restaurimin.
“Deri tani janë kryer 784 restaurime veprash. Paralel punohet me gjithë inventarin në mënyrë që të jemi gati që dhe me grupin këshillimor që e diskutuam për muzeimin, linjën muzeale dhe për gjithë planin e menaxhimit të gjithë galerisë – tregoi ai.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama u interesua për detajet teknike të projektit, i cili parashikon një komunikim mes dy objekteve të vjetrit dhe të riut.
“Objekti i ri u shtua duke respektuar objektin e vjetër dhe duke mbajtur këtë galerinë e xhamit. Vizita fillon që nga objekti ekzistues dhe pastaj nëpërmjet urave kalojnë paralel sipas kateve drejt objektit tjetër, ku ka hapësira të tjera të shtuara. Dallohen disa tipologji ndërhyrjesh këtu, duke filluar që nga përforcimi dhe pastaj gjithë instalimet me radhë. Do rikthejmë skylight-et të cilat me kalimin e kohës kanë qenë të improvizuara dhe të mbyllura.”- shpjegoi përfaqësuesi i studios projektuese.
Fundi i këtij viti, parashikohet të përmbyllë punimet në kantierin për Galerinë Kombëtare të Arteve.
Sa do kushtojë?
Rikonstruksioni dhe rehabilitimi i hapësirave të Galerisë Kombëtare të Arteve do të kushtojë 1 miliardë e 365 milionë lekë dhe do të zgjasë 3 vite, u tha në 2021 kur Galeria mbylli dyert për vizitorët. Një godinë simotër do i shtohet asaj ekzistuese, në pjesën e pasme, duke zgjeruar hapësirat e fondit të ruajtjes së veprave të artit, ekspozimit, laboratorëve restaurues, aktivitetit edukues për të rinj, fëmijë e shërbime për vizitorët. Nga 4.600 m2 që është sot, muzeu do të shtrihet në 10.100 m2.