Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në dhjetor 2024 krahasuar me muajin nëntor 2024, kemi rënie për 2.6% të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, kemi rritje për 16.9% të ndërmarrjeve të regjistruara.
Në kategorinë “Mikro ndërmarrje”, që kanë 1 deri në 9 të punësuar, janë gjithsej 935 ndërmarrje të regjistruara. Ndërkaq në kategorinë “Ndërmarrje të vogla” me 10 deri 49 të punësuar, janë gjithsej 7 ndërmarrje të regjistruara. E në kategorinë “Ndërmarrje të mesme” me 50 deri 249 të punësuar, është vetëm 1 ndërmarrje e regjistruar. Kurse në kategorinë “Ndërmarrje të mëdha“ nuk kemi ndërmarrje të regjistruara këtë muaj.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të regjioneve prin regjioni i Prishtinës me 496 ndërmarrje të regjistruara apo 52.6%, regjioni i Prizrenit me 100 10.6%, Regjioni i Ferizajt me 99, apo 10.5%. Regjioni i Mitrovicës me 81 apo 8.6%, Regjioni i Gjilanit me 62 apo 6.6%, rajoni i Gjakovës me 54, apo 5.7% dhe rajoni i Pejës me 51 apo 5.4%.
Por nuk pati vetëm ndermarrje të regjistruara gjatë këtij muaji. Pasi që gjatë dhjetorit të vitit 2024 janë shuar gjithsej 162 ndermarrje.
Rajoni me numrin më të madh të bizneseve të shuara është Prishtina me gjithsej 66 biznese të shuara. Pasuar nga Gjilani në të cilin gjatë muajit dhjetor u shuan 23 ndërmarrje. Në Mitrovicë dhe Gjakovë gjatë dhjetorit u shuan nga 19 ndermarrje. E në Prizren gjatë dhjetorit u shuan 18 ndermarrje, në Pejë 10 dhe në Ferizaj u shuan 7 ndërmarrje./Indeksonline/.