Sanksionet e Shteteve të Bashkuara (SHBA) kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) synojnë Rusinë, jo Serbinë, tha Richard Verma, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, të shtunën në Beograd.
“Nuk do të ketë pasoja ekonomike për Serbinë nëse pronësia ruse e NIS-it hiqet. Rusia nuk po investon në të ardhmen e Serbisë, sepse fitimet që ajo realizon nga NIS nuk investohen në Serbi. Ndryshimi i strukturës së pronësisë do të kontribuojë në më shumë paqe në rajon”, tha Verma në një konferencë të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai theksoi se NIS-i është një nga 2.000 kompanitë në pronësi ruse ndaj të cilave SHBA ka vendosur sanksione.
“Qëllimi është të hiqet pronësia ruse nga këto kompani. Ne do ta ndihmojmë Serbinë t’i diversifikojë burimet e saj të energjisë dhe të jetë e pavarur në këtë drejtim”, shtoi Verma.
Vuçiq deklaroi se fakti që sanksionet ndaj NIS nuk kanë për qëllim Serbinë është “ngushëllim i dobët”.
“Sipas llogaritjeve të para, rreth 30 vende janë prekur nga këto sanksione në mënyra të ndryshme – ose subjekte nga ato vende – por kudo bëhet fjalë për asetet, kapitalin dhe interesat ruse”, tha Vuçiq në konferencë.
Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar, pasi është nën pronësinë e kompanisë ruse Gazprom Nefta.
Të premten, Vuçiq tha se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.