Një linçim të neveritshëm që po i cënon jetën familjare dhe dinjitetin, i quajti Kryeministri Rama deklaratat politike dhe mediatike ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës.
Në konferencën e fundvitit me gazetarët Rama tha se nuk komenton hetimet e SPAK, si për këdo tjetër por tërhoqi vëmendjen tek fakti se ndaj drejtuesit politik të qarkut të Tiranës por dhe kryetarit të bashkisë që transformoi kryeqytetin po i bëhet një gjyq publik, duke iu referuar politikës dhe mediave.
Jemi në kushtet kur Erion Veliaj është hetuar, gjykuar, dënuar në gjykatën e politikës dhe atyre mediave që janë të angazhuara për të bërë gjyqësi alternative. Pikërisht në kushtet, kur kjo gjykatë dhe prokuroria alternative është aktivizuar kaq shumë për të linçuar publikisht një udhëheqës të Partisë Socialiste nga grupi udhëheqës i Partisë Socialiste, kryetarin e bashkisë së Tiranës, i votuar për tre mandate resht, protagonistit të transformimit të qytetit, me mbështetjen natyrisht të qeverisë dhe Partisë Socialiste, atëherë këtu jemi në kushtet kur ka shumë për të menduar dhe ka shumë për të reflektuar. Ndërkohë që, nuk jemi në kushtet kur është shpallur ndonjë akuzë publike, me gjithë argumentet përkatës. Jemi në kushtet kur ka fjalë, thashetheme, sms-ra, një sms pa emër, në kuptimin që nuk kuptohet se kujt i është ngritur, si i është ngritur, pra jemi në kushtet e një amullie shumë të ngjashme me një çorbë derrash që nuk mund të jetë arsye për të marrë qëndrime ne sot. Ne do të shohim evoluimin edhe në kohën e duhur do të mbajmë qëndrimet tona’ tha Veliaj.
I pyetur nëse Veliajt do t’i cënohet jeta politike në Partinë Socialiste pas nisjes së hetimit nga Prokuroria e Posaçme, shefi i qeverisë u përgjigj duke thënë se kryebashkiakut i cënohet momentalisht vetëm jeta familjare nga linçimi publik që po i bëhet.
“Përkohësisht, di që Erion Veliajt i cënohet jeta e tij familjare nga gjyqi publik i bërë jo nga institucioni përkatës, por nga të gjithë ata që janë angazhuar në atë gjyq. I cënohet dinjiteti nga prokurorë dhe gjykatës të ulur nëpër klube mediatike apo të fshehur pas ekraneve të portaleve e të socialeve. Këtë e di me siguri. Ndërsa përsa i përket pjesës tjetër, nuk bën përjashtim askush nga ajo që unë kam thënë që në fillim. Unë nuk bëj komente për çështjet që i takojnë institucioneve të drejtësisë. Mund të bëj koment, deri më sot, kjo mund të ndryshojë. Kur të ndryshojë duhet të ketë një arsye shumë të fortë dhe pastaj do ta ndaj me ju ,por deri sot ky është qëndrimi im.
Mund të bëj koment për ndonjë vendim të formës së prerë siç kam bërë për një shpifësh recitiv për një vendim që ka qenë një nga vendimet më të drejta dhe më të mirëseardhura për mua në këtë vend ku shpifja është bërë mbret dhe e vërteta është kthyer në skllav. Ndërsa sa i përket rastit konkret nuk përbën përjashtim por ama është pak por e sigurt që linçimi publik i kryetarit të bashkisë është i neveritshëm dhe që kërkimi i gijotinës për të është skandal’ tha Rama.
A ka dyshime kryeministri se kush është Nesti Angoni mbi bazën e të cilit SPAK po heton për 4 akuza dhe për të cilën Kryebashkiaku Veliaj është marrë në pyetje si person që ka dijeni për hetimin?
“Nuk komentoj të lutem. Mos më shty në këtë ngasje sepse besoj që ky rast është shumë specifik për shumë arsye. Por unë nuk kam asnjë koment dhe deri tani unë nuk kam parë asnjë akuzë konkreti për persona konkretë. Kam ndjekur, skam parë një gjë të tillë por gjithsesi unë personalisht nuk dua të bëj asnjë koment dhe natyrisht dhe asnjë përfaqësues i PS nuk është i lejuar të bëjë asnjë koment. Do shikojmë procesin që siç po e ndiqni ju jo vetëm me një vëmendje por me një uri të madhe, ne pa uri por me vëmendje por e ndjekim me shumë kujdes” tha Rama.
Më 26 dhjetor 2024, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u mor në pyetje në SPAK për 5 orë nga prokurori Ols Dado. Një ditë më pas SPAK njoftoi zyrtarisht se ndaj Veliajt nuk ka akuzë, por është marrë në pyetje si person që ka dijeni rreth një hetimi për 4 vepra penale, që indicie ka kallëzimin e një personi anonim. Ky person ka dorëzuar në SPAK informacione konfidenciale të Aviacionit Civil, siç është një fluturim i Veliajt 20 vite më parë, duke ngritur pikëpyetje se kush është burimi që i ka dhënë një anonimi informacione jo publike nga Aviacioni.
Konferenca me gazetarët zgjati më shumë se 3 orë, nga të cilat 2 orë u shfrytëzuan nga kryeministri Edi Rama për të parashtruar arritjet gjatë vitit 2024 por dhe projektet e 2025. Ndërkohë Shqipëria po përgatitet për të mirëpritur vendet aleate në samitin e NATO-s që do mbahet në 2027. Rama tha se samiti i NATO në Tiranë do të mbledhë të gjithë liderët që janë pjesë e kësaj aleance, përfshirë edhe presidentin e SHBA, pra Donald Trump.