Nuk kanë munguar rastet e dyshimta në sfidën e djeshme mes Egnatias dhe Bylisit, që nga penalltitë, golat e anuluar apo kartonët e kuq.
Përveç kësaj, ra në sy një moment kur Dyrmishi po shihte rastin e dyshimtë për penallti për Bylisin, në monitorin e VAR-it jepet një moment nga ndeshja e Partizanit dhe Laçit. Një gabim teknik mesa duket, që u rregullua më pas. Më poshtë, rastet e dyshimta.
21’ Gjata godet në zonë pas një harkimi nga e majta, me topin, që devijohet nga Alijev, duke prekur edhe pjesën e krahut të tij. Gjyqtari vijon fillimisht lojën, por pret edhe një konfirmim nga VAR-i për këtë rast, ku shkon dhe sheh pamjet. Pas rishikimit, ndërron mendje dhe akordon penallti. Moment shumë i dyshimtë, edhe pse pamjet e prekjes me dorë janë të qarta. (VIDEO)
45+3’ Ujka futet në zonë dhe ka shqetësimin e dy lojtarëve miq. Në momentin e fundit, është Kane ai që i ndërhyn duke e shtyrë, me mesfushorin që rrëzohet në tokë. Nuk ka penallti për kryesorin, në një moment kur kontakti nuk mungon, edhe pse nuk duket se ka element penalltie.
67’ Përndreca ndërhyn ashpër ndaj Uotlait me të dyja këmbët duke e dëmtuar. Kryesori akordon direkt të kuq për lojtarin e Bylisit. Nga pamjet duket një vendim i drejtë i Dyrmishit, sepse ndërhyrja ishte shumë e ashpër. (VIDEO)
90’+3’ Kasa jep një top për Bakajokon në zonë dhe ky i fundit shënon. Fillimisht akordohet gol, por është VAR-i që korrigjon gjithçka, sepse sulmuesi ishte në pozicion jashtë loje. (VIDEO)
PANORAMASPORT.AL