Izraeli “po përgatit një përgjigje” pas sulmit me raketa të lëshuar të martën drejt territorit të tij nga Irani, njoftoi të shtunën një zyrtar ushtarak izraelit, ndërsa aviacioni izraelit kryen bombardime të reja në Liban, kryesisht në periferi të jugut të kryeqytetit Bejrut, një zonë që është bastion i formacionit pro-iranian Hezbollah, raporton AFP.
Gazeta izraelite e së majtës, Haaretz, citon ushtrinë izraelite, duke thënë se përgjigja do të jetë “domethënëse”. Ushtria izraelite “po përgatitet për një goditje të rëndësishme në Iran pas sulmit me raketa të lëshuar këtë javë nga Teherani”, shkruan gazeta e cituar.
Pasi dobësoi lëvizjen palestineze Hamas në Rripin e Gazës në një luftë shkatërruese dhe të përgjakshme për popullsinë civile palestineze, e cila ende nuk ka përfunduar, ushtria izraelite ka përqendruar që nga mesi i shtatorit operacionet e saj në frontin libanez kundër milicisë Hezbollah, të cilën e ka bombarduar intensivisht, ka shpërthyer në distancë pajisje të telekomunikacionit ku shërbimi izraelit Mossad ka arritur të vendosë eksplozivë, ka shkatërruar udhëheqjen e saj, duke vrarë edhe liderin e saj, Hassan Nasrallah, dhe të hënën nisi gjithashtu një ofensivë tokësore.
Sipas Hezbollahut, po zhvillohen luftime në jug të Libanit, ku ushtria izraelite po përpiqet të përparojë, ndërsa grupi pro-iranian gjithashtu pretendon se ka lëshuar raketa mbi bazën ushtarake izraelite Ramat David pranë qytetit të Haifës. Ndërkohë, ekipet e shpëtimit ende po kërkonin të mbijetuarit në vendin e një bombardimi izraelit në periferi të jugut të Bejrutit, ku mendohet se ndodhej zëvendësi i mundshëm i Nasrallahut, Hachem Safieddine, i cili ende nuk është gjetur.
Një element thelbësor i strategjisë ushtarake izraelite në Liban është shkatërrimi i depozitave ushtarake të Hezbollahut dhe bllokimi i të gjitha rrugëve të tij për t’u furnizuar me armë dhe municione nga Irani. Ushtria izraelite shkatërroi kështu një tunel të përdorur për këtë qëllim dhe një rrugë midis Libanit dhe Sirisë, duke paralajmëruar se “bllokada ushtarake” mbi Libanin do të vazhdojë, ndoshta për një kohë të gjatë, shkruan Times of Israel. Në kuadër të kësaj bllokade, ushtria izraelite detyroi një avion që kishte pajisje ushtarake në bord dhe u nis nga Irani drejt Sirisë ose Libanit, të kthehej në rrugë mbi Irak.
Irani lëshoi të martën në mbrëmje rreth 200 raketa balistike drejt Izraelit, shumica e të cilave u interceptuan nga sistemet kundërajrore izraelite dhe ato në anijet luftarake amerikane, por të tjerat goditën bazat ushtarake izraelite, pa shkatërruar avionë ose infrastrukturë thelbësore, sipas ushtrisë izraelite.
Sulmi u përshkrua nga Teherani si një veprim hakmarrjeje ndaj fushatës ushtarake izraelite kundër grupit pro-iranian libanez Hezbollah dhe ndaj vrasjes së Nasrallahut, të komandantëve të tjerë të këtij formacioni, si dhe të liderit politik të grupit islamik palestinez Hamas, Ismail Haniyeh, i vrarë në Teheran në korrik.
Izraeli ka premtuar një kundërpërgjigje, ndërsa Irani ka kërcënuar nga ana e tij me sulme të reja në rast të kundërmasave izraelite. Burimet mediatike izraelite nuk ofrojnë të dhëna për natyrën e mundshme të kundërpërgjigjes izraelite. Presidenti amerikan Joe Biden, zëvendësja e të cilit, demokratja Kamala Harris, është në fushatë për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, i ka kërkuar Izraelit të mos godasë objektet e naftës iraniane, një veprim që do të rriste çmimin e naftës, duke ndikuar në SHBA pak para zgjedhjeve. Nga ana e tij, kandidati republikan Donald Trump ka sugjeruar që Izraeli të godasë objektet bërthamore të Iranit.