Ushtarët britanikë nga forca rezervë e NATO’s, që arritën mbrëmë në Kosovë, kanë filluar sot me stërvitjet për të testuar procedurat e mbështetjes mjekësore në operacione.
Në njoftimin e KFOR thuhet se këto aktivitete të rregullta trajnimi janë kyçe për të mbrojtur standardet më të larta operacionale të KFOR-it dhe gatishmërinë për të trajtuar të gjithë skenarët e mundshëm të sigurisë, shkruan Reporteri.net.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë. KFOR-i vepron si reagues i tretë i sigurisë në mbarë Kosovën, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), të cilët janë respektivisht reaguesit e parë dhe të dytë të sigurisë”, thuhet në njoftim.
KFOR-i ka njoftuar se stërvitjet kanë për qëllim “të testojnë procedurat ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre në kuadër të misionit”.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka bërë të ditur, po ashtu, se stërvitjet do të mbështesin gatishmërinë e KFOR-it “për t’iu përgjigjur zhvillimeve relevante të sigurisë”.