Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila përpara se të hynte në politikë ka punuar si mjeke, ka përdorur njohuritë e saj mjekësore për të ndihmuar një pasagjer që nuk ndihej mirë gjatë një fluturimi nga Zyrihu për në Bruksel. Lajmi është konfirmuar të enjten nga një zëdhënëse e BE-së për agjencinë DPA.
“Siç është zakonisht rasti në situata të tilla, ekuipazhi pyeti nëse kishte ndonjë pasagjer me ekspertizë mjekësore në bord,” deklaroi zëdhënësja.
Von der Leyen, e cila ka punuar si mjeke asistente për disa vite pas përfundimit të studimeve, ndihmoi pasagjerin deri në mbërritjen në Bruksel, ku ai u mor në kujdes nga stafi mjekësor i aeroportit.
Incidenti u raportua fillimisht nga faqja zvicerane e lajmeve *20 Minuten*.
Sipas një zëdhënëseje, von der Leyen dhe ekipi i saj po ktheheshin nga Samiti i G20 në Rio de Janeiro.