Mitrovicës duhet t’i kushtohet më tepër vëmendje, si nga donatorët ashtu edhe nga Qeveria e nga organizatat ndërkombëtare dhe shtetet që kanë ndikim politik. Ura e Ibrit, me pak vullnet të mirë politik, mund shumë lehtë të kthehet në një simbol bashkëjetese, në vend se të jetë simbol i ndarjes.
Hapja e urës kryesore në lumin Ibër, që lidh dy brigjet e qytetit të Mitrovicës, është më shumë çështje simbolike sesa një problem politik i cili do të kërkonte vendim të nivelit të lartë. Ata që nuk e kanë vizituar Mitrovicën, e parafytyrojnë urën kryesore të Ibrit si një fortifikatë nga e cila nuk mund të kalojë askush. Mirëpo, po të qëndrosh tek ajo urë, e sheh se ajo përdoret gjatë tërë kohës nga këmbësorët, të cilët e kalojnë urën nga të dyja anët e lumit Ibër, si nga ana jugore, ashtu edhe nga ana veriore. Ura është e mbyllur vetëm për automjete. Dhe kjo nuk është ura e vetme që lidh dy brigjet e qytetit. Ekziston edhe një urë tjetër, e cila është e hapur, si për këmbësorë, ashtu edhe për automjete, dhe të cilën njerëzit e shfrytëzojnë për të kaluar prej njërës anë në anën tjetër të qytetit, simbolikisht të ndarë në pjesën serbe dhe në pjesën shqiptare që nga viti 1999.
Një iniciative për të hapur këtë urë, Bashkimi Evropian i është përgjigjur me nguti se kjo çështje duhet të jetë temë e dialogut në Bruksel dhe se hapja e urës kryesore të lumit Ibër duhet të vendoset në nivel të lartë. Mbase zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk e njohin terrenin aq mirë dhe i japin peshë më të madhe seç duhet simbolizmit të kësaj ure e që është se kjo urë e ndan qytetin në dy pjesë e jo që i bashkon dy pjesët e qytetit të Mitrovicës.
Në anën tjetër, është ura e Ibrit që kalon në Lagjen e Boshnjakëve, apo Boshnjak Mahalla siç quhet në mënyrë popullore. Kjo urë është e hapur dhe atë e kalojnë këmbësorët dhe automjetet nga të dyja anët, pa asnjë problem. Unë personalisht kam kaluar me veturë në anën veriore të qytetit të Mitrovicës shumë herë përmes kësaj ure. Në anën tjetër të qytetit nuk ka vetëm serbë. Aty jetojnë edhe shqiptarët, edhe boshnjakët, edhe turqit, edhe të tjerët, dhe ata kanë nevojë të qarkullojnë. Pra, nuk është se nuk ka fare qarkullim në të dyja anët e qytetit të Mitrovicës. Është problem i simbolizmit të cilin e paraqet ura kryesore e lumit Ibër dhe që është se ajo qe 25 vjet e simbolizon ndarjen e jo bashkimin e qytetit dhe të njerëzve që jetojnë në të dyja anët e lumit Ibër.
Pyetja është se si të tejkalohet ky simbolizëm ndarës që e ka kjo urë?
Mënyra e vetme është hapja e saj për qarkullim të lirë të njerëzve, në mënyrën se si dëshirojnë dhe kanë nevojë ata: në këmbë, siç bëjnë tani, apo edhe me automjete, siç duhet të jetë.
Kjo simbolikë ndarëse e urës kryesore të lumit Ibër është një simbol turpërues pikësëpari për bashkësinë ndërkombëtare, e cila vazhdon të insistojë në mbajtjen e kësaj simbolike dhe në “zgjidhjen” e saj përmes dialogut të nivelit të lartë, duke e tejpolitizuar këtë çështje. Në kohën kur Evropa flet për zgjerim në Ballkanin Perëndimor dhe për gjithëpërfshirje në proceset integruese, kur kundërshton aneksimin dhe ndarjen e territorit të Ukrainës nga ana e Rusisë, ajo vazhdon njëkohësisht të mbrojë simbolikën ndarëse të një ure, e cila, në vend që të bashkojë, e ndan një qytet, i cili mund të konsiderohet i vogël për nga territori, me vetëm 7 për qind e territorit të qytetit që gjendet në pjesën veriore. Në jug të Mitrovicës ekziston Kisha Ortodokse, por ka pak besimtarë ortodoksë që shkojnë të kryejnë shërbimet fetare aty, për shkak se ata e konsiderojnë qytetin e ndarë dhe nuk kalojnë dot në pjesën jugore ku ndodhet ajo. Në anën tjetër, një numër jo i vogël i banorëve të pjesës veriore të qytetit nuk kanë se ku t’i kryejnë shërbimet fetare për shkak se xhamia, e cila ka qenë në bregun verior të lumit Ibër, është shkatërruar gjatë luftës. Kjo xhami, apo Xhamia e Ibrit siç njihet, u ka shërbyer besimtarëve të të gjitha etnive dhe njerëzve që i përkasin konfesionit islam. Madje para vitit 2011 është arritur marrëveshja për rindërtimin e kësaj xhamie, porse është stopuar për shkak të zhvillimeve politike. Rindërtimi i kësaj xhamie do të ishte një sinjal pozitiv për njerëzit në të dyja anët e lumit Ibër se jeta po normalizohet, dhe do të ishte simbol i bashkimit të qytetit. Prandaj, rindërtimi i xhamisë së Ibrit, përveçqë do ta kishte domethënien e rindërtimit të një monumenti të rëndësishëm kulturor të shkatërruar në luftë, do të kishte si rezultat edhe qarkullimin më të madh të njerëzve në të dyja anët e lumit – shqiptarëve për të kryer shërbimet fetare në veri, dhe serbëve për të kryer shërbimet fetare në jug. Prandaj, në këtë rast, liderët fetarë të të gjitha konfesioneve në Mitrovicë mund të luajnë rol të rëndësishëm për të rrëzuar simbolikat ndarëse dhe për të ndërtuar simbolika që bashkojnë.
Problemi i përafrimit të shqiptarëve dhe të serbëve nuk qëndron tek niveli i komunitetit. Në nivel të komunitetit madje ka komunikim aty ku ekziston mundësia dhe nevoja. Në Mitrovicë ka me dhjetëra projekte ndëretnike, ku marrin pjesë edhe shqiptarë e edhe serbë. Liderët lokalë nuk kanë problem të komunikojnë mes vete. Problemi i mungesës së përafrimit qëndron mu në nivelin më të lartë politik, nga i cili pritet të zgjidhë problemet e qytetarëve. Ky nivel mbështet simbolikat ndarëse për të arritur qëllimet politike, pa u përkujdesur për mirëqenien e qytetarëve, të cilët kanë nevojë për komunikim, qarkullim të lirë dhe për një ndjenjë se jetojnë në një vend normal.
Mitrovicës duhet t’i kushtohet më tepër vëmendje, si nga donatorët ashtu edhe nga Qeveria e nga organizatat ndërkombëtare dhe shtetet që kanë ndikim politik. Ura e Ibrit, me pak vullnet të mirë politik, mundet shumë lehtë të kthehet në një simbol bashkëjetese, në vend se të jetë simbol i ndarjes.