Dosja e akt-akuzës së ish-kryeministrit dhe kryedemokratit Sali Berisha, dhëndrrit të tij Jamarbër Malltezi dhe biznesmenit Fatmir Bektashi, ka nxjerrë në pah dhe përfshirjen e një prej bankave të nivelit të dytë, Union Bank. Në 499 faqet e dosjes që akuzon ish-kreun e qeverisë për korrupsion në bashkëpunim, Union Bank, e drejtuar nga Flutura Veipi, përmendet dhjetëra herë si e ‘përzgjedhura’ e familjes Berisha për kalimin e çdo fondi, transaksioni apo marrje kredie.
Më konkretisht, më datë 28 tetor të vitit 2014, Union Bank i ka dhënë një kredi kompanisë së Bektashit, “Kontakt”, me vlerë 300 mijë euro. Për këtë kredi, Bektashi ka lënë dy prona kolateral.
“Gjithashtu lidhet edhe një kontratë tjetër kredie, me Nr. 9007 rep. nr. 1661 kol. datë 28.10.2014, midis “Union Bank” në cilësinë e kredidhënësit, shoqërisë “Homeplan” në cilësinë e kredimarrësit, shoqërisë “Kontakt” shpk në cilësinë e dorëzanësit dhe shtetasi Fatmir Bektashi në cilësinë e dorëzanësit. Banka i jep kredi 300,000 euro me qëllim pagesën e pjesshme të lejes së ndërtimit të kompleksit Magnet dhe kthim overdraft- i në kredi standarde. Për të garantuar kredinë janë vendosur në favor të Union Bank sh.a. dy pasuri në pronësi të vetë shtetasit Fatmir Bektashi e konkretisht trualli me ur pasurie 7/23 dhe arë me nr 7/24, ZK 2679 ndodhur në adresën Mëzez Tiranë. Gjithashtu vendosen garanci edhe pasuri të tjera të shtetasit Fatmir Bektashi si “Truall + ndërtesë me Nr. Pasurie 111/188, ZK 2291, i ndodhur ne Kryemedhenj, Kavajë; Vendosen tre pasuri të, të llojit njësi, të shoqërisë Kontakt sh.p.k. të ndodhura në ZK 8270, Rruga: “Deshmoret e 4 Shkurtit”. Per te garantuar permbushjen e kushteve dhe afateve te kesaj kontrate dhe pagesave te Kredise, Hipotekuesit Aneta Bektashi dhe Ilirjan Bejko vendosin garanci në favor të Bankës në formen e hipotekës mbi pasurine: “Truall” me Nr. Pas 1/756, ZK 8270, ne Rrugen: “Emin Duraku”, Tiranë, në pronësi të këtyre shtetasve. Dorezanesi Z. Fatmir Petrit Bektashi garanton pa rezerva Banken/Kredidhënëse se do te pergjigjet me te gjithe te ardhurat e tij, pasurine e tij, per permbushjen e detyrimeve totale qe rrjedhin nga kjo Kontrate-Kredie, ne rast se Kredimarresit nuk i permbushin detyrimet e tyre. Per te garantuar permbushjen e kushteve dhe afateve te kesaj kontrate dhe pagesave te Kredise, Hipotekuesi Homeplan sh.pk. vendosin garanci në favor të Bankës në formën e hipotekës mbi 6 pasuri në pronësi të shoqërisë Homeplan të ndodhura në ZK 8220, në rrugën Frosina Plaku,”- shkruhet në dosje.
Kjo kredi është marrë me qëllim pagesën e pjesshme të lejes së ndërtimit të kompleksit Magnet.
“Me kontratën nr 9007 rep nr 1661 kol datë 28.10.2014, shoqëria Homeplan sh.p.k. rezulton të ketë marrë kredi në vlerën 300 000 euro pranë Bankës Union Bank, me qëllim pagesën e pjesshme të lejes së ndërtimit të kompleksit Magnet dhe kthim overdrafti në kredi standarte. Për të garantuar kredinë, vendosen në favor të Union Bank sh.a. disa pasuri të paluajtshme ku ndërmjet tyre evidentohen edhe dy pasuritë e mësipërme e konkretisht: pasuria Njësi Nr.2 me sipërfaqe totale 56.4 m m2, regjistruar ne regjistrin hipotekor me Nr.719, Date 09.07.2012 dhe me Nr.Pasurie 3/201+3-N2, Volumi 28, Faqe 101, ne ZK 8220, i ndodhur ne adresen kati perdhe te Godines 9-kate, ne Rrugen: “Frosina Plaka”, Tiranë, dhe Njësi Nr.3 me sipërfaqe totale 66.8 m², regjistruar ne regjistrin hipotekor ine Nr.817, date 09.07.2012 dhe me Nr. Pasurie 3/201-4-N3, Volumi 28, Faqe 199, ne ZK 8220, i ndodhur ne adresen kati perdhe te Godines 9-kate, ne Rrugen: “Frosina Plaku”. Tiranë,”- shkruhet në dosje.
Ndërsa në vitin 2013, shoqëria “Homeplan”, sërish në pronësi të Bektashit, ka marrë një tjetër kredi bankare, me vlerë 1 milion euro. Brenda vitit, siç e thamë edhe më sipër është financuar sërish me 300 mijë euro.
“Në tetor te vitit 2013, shoqeria Homeplan mori edhe nje kredi bankare prej 1.000.000 eurosh, dhe ne vitin 2014, nenkontraktuesi dha nje kredi prej 300.000 eurosh. Pasi shoqeria ishte e qendrueshme dhe kishte likuiditet monetar te mjaftueshem per te mbuluar punimet ne proces e siper, ajo vendosi ta shperndaje dividendin tek aksionaret sipas perqindjeve te tyre te percaktuara ne marreveshjen fillestare te investimit te vitit 2008,”- thuhet më tej në dosje.
Në aparatet kompjuterike të sekuestruara pranë studio Pustina, është gjendur dokumenti “Përgjigje për Abin” në gjuhën angleze i krijuar më datë 09.12.2021 dhe “Përgjigje për Abin VS2” në gjuhën angleze me datë krijimi 15.12.2021. Në këtë dokument parashtrohen disa kërkesa që i janë bërë vajzës së Malltezit në lidhje me justifikimin e përfitimeve të Jamarbër Malltezit.
“Shpjego qe hape llogarine te Union Bank kur/pse dhe aty te shkojne vetem te ardhurat e lidhura me biznesin. Duhet t’ua bashkelidhesh bilancet dhe transfertat nga homeplan tek banka Per vitet financiare 2015-2020, shoqeria Homeplan shpemdau dividend per shumen bruto prej 8.425.453 eurosh me shumen korresponduese neto prej 7.488.087 eurosh. Vlera qe i duhet paguar babait tim sipas perqindjes 35% eshte 2.620.830 euro,”- shkruhet në letër.
Transkaksionet kanë qenë të shumta gjithashtu. 80 të tilla janë bërë vetëm brenda gjashtë muajve në vitin 2017, por në shuma të vogla, në mënyrë që të mos nisnin verifikimet për pastrimin e parave.
Por kjo nuk është hera e parë që kjo bankë lakohet pranë familjes Berisha.
Biznesmeni serbo-boshnjak, Damir Fazlliç që erdhi në Shqipëri në kohën e qeverisë Berisha u financua nga kjo bankë. Në vitin 2004, qeveria shqiptare shpalli ndërtimin e një porti në zonën e quajtur Porto Romano për importimin e produkteve të hidrokarbureve, një projekt në partneritet publik dhe privat. Me mendimin se zona do të kthehej në një park industrial energjetik, Damir Fazlliç bleu mbi 150 mijë metër katrorë tokë në Porto Romano.
BIRN ka raportuar në atë kohë se Damir Fazlliç, nëpërmjet kompanisë së tij, Crown Acquisitions u shndërrua në një kreditor të besueshëm për bankat, të cilat financuan projektet e tij.
Në prill 2010, kompania Crown Acquisitions mori një kredi prej 625 milionë lekësh (rreth 4.5 milionë euro) me synimin për të zhvilluar tokat e ish-Kënetës, brenda zonës së dizenjuar si Park Industrial me një projekt të titulluar: “Terminal dhe depozita karburanti dhe gazi”.
Kredia, e cila duhej të shlyhej për pesë vjet synonte të përdorej për nivelimin e tokës, gërmimin dhe punime të tjera në infrastrukturë për projektin. Për marrjen e kësaj kredie, kompania la si kolateral dy parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej 80 mijë metrash katrorë. Po për të njëjtin projekt, Fazlliç siguroi dhe një kredi të dytë në maj 2013 nga Union Bank në vlerën e 841 mijë eurove.
Mirëpo, Fazlliç u kallëzua nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në vitin 2014 se ka përfituar pagesa TVSH-je mbi dokumente të rreme në vitin 2011 për punë të pakryera në parkun industrial të Porto Romanos.
Çfarë do të ndodhë tani? A do të nisin hetimet për Union Bank?
Drejtore e Përgjithshme e Union Bank është Flutura Veipi. Në maj të vitit 2023, Flutura Veipi u zgjodh anëtare e Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave.