Përballja me drejtësinë sic duket e ka bërë ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu që të ndryshojë deklaratën e saj skandaloze se “Serbia kontrollon burgjet tona?”
Ajo të martën pas intervistimit nga Prokuroria Speciale, intervistim që zgjati rreth dy orë, ka thënë se ajo asnjëherë s’ka thënë se Serbia ka ndikim në burgjet e Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Haxhiu, para gazetarëve ka thënë se deklarata e saj u ndryshua nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e disa analistë politik.
“Unë asnjëherë s’kam thënë që Serbia ka ndikim në burgjet e Kosovës. Këtë e ka thënë PDK-ja përmes konferencës për media dhe po ashtu disa analistë politik të cilët qëllimesh kanë keqinformuar”, u tha Haxhiu gazetarëve.
Ajo theksoi se në raste të tilla Prokuroria Speciale do të duhej ta ftonte atë për bashkëpunim institucional.
“Është për t’u duartrokitur që me interes të madhe më përcjellin edhe në studio televizive. Unë jam ministre e Drejtësisë, pra udhëheq një ministri në kuadër të Republikës së Kosovës, pas reagimit tim në rrjetin social ‘Facebook’ ka qenë e udhës të më ftoj në kuadër të bashkëpunimit institucional”.
“Por, përpjekjet e tyre që të intervistohem në cilësinë e dëshmitares tregojnë shumë edhe për qasjen që kanë edhe për motivet e tyre”, deklaroi Haxhiu para gazetarëve.
Haxhiu, ka shtuar se intervistimi i saj është “tendencioz” dhe se dikujt është duke i penguar puna e Qeverisë së Kosovës.
“Ne e kemi obligim t’i adresojmë reformat në drejtësi për të cilat ju tashmë e dini se po punojmë në vazhdimësi dhe duket se dikujt po i pengon siç duket Prokuroria Speciale po tenton të më pengojë në punën time me ç’rast e keni parë që çdo deklaratë që unë e kam dhënë, ata menjëherë kanë autorizim policinë për ta marrë deklaratën time”.
20 KORRIK 2024 – HAXHIU: ARRATISJET TË BASHKËORGANIZUARA ME GRUPE KRIMINALE TË LIDHURA ME STRUKTURA TË PUSHTETIT NË SERB
Por, pak ditë më parë ministrja e Albin Kurtit ka shfaqur publikisht pretendimin se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës i ka nxitur Serbia.
Këto pretendime ajo i kishte bërë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, më 20 korrik derisa po e komentonte rastin e Faton Hajrizit, i arratisur para disa javësh nga burgu i Smrekonicës së Vushtrrisë, i vrarë të premten nga policia serbe, pasi që kërkohej nga autoritetet serbe si i dyshuar për vrasjen e një polic serb dhe plagosjen një tjetri.
Fillimisht, Haxhiu tha se përdorimi etno-politik “i aktit kriminal të vrasjes së një polici në Lloznicë nga ana e Qeverisë së Serbisë është i papranueshëm, i qëllimshëm dhe i parapërgatitur”.
“Nëpërmjet ish zëdhënësit të partisë së Sllobodan Millosheviç-it (SPS), tash kryetar i saj dhe ministër i punëve të brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, u dha lajmi se i arratisuri nga burgu në Kosovë, Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra të rënda kriminale, është vrarë”, shkroi Haxhiu.
Informacionet këto ditë, sipas saj, ishin kundërthënëse, andaj, ajo pohon se “nuk mund ta dimë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti”.
“Aktet e ikjes së disa personave me precedent penal, që janë në vuajtje të dënimit apo në pritje të ekzekutimit të dënimit, janë shpeshtuar sistematikisht së fundmi në një mënyrë të tillë që më së paku do mund të kualifikoheshin si koincidencë”.
Akti i vrasjes të një polici e plagosjes së një tjetri në afërsi të Lloznicës në Serbi, në prizmin e Ministres Haxhiu, “janë padyshim vepra të rënda kundër rendit, ligjit e policëve në detyrë zyrtare”.
“Dënimi ndaj vrasjes së policëve është padiskutim akt i dënueshëm në çdo kuptim ligjor e moral. Ne dënojmë fuqishëm çdo veprim të tillë”, potencoi ajo.
“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë”.
Heshtin Kurti, Osmani dhe institucionet për “alarmin” për sigurinë kombëtare, Albulena Haxhiu konfirmoi “rënien e shtetit” duke pretenduar se Serbia ka gisht në arratisjen e të burgosurve
Ajo potencoi se “informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.
“Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës. Mburoja nuk jepet vetëm ndaj mos-ekstradimit por ndaj çfarëdo bashkëpunimi informativ me organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës”.
Një mbështetje e tillë, shtoi Haxhiu, “është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës”.
“Ofrimi i territorit të Serbisë si mburojë ndaj ndjekjes së organeve penale të Republikës tonë i shërben krimit dhe kontribuon hapur cenimit të stabilitetit institucional e ligjor të Republikës së Kosovës. Shpeshtimi sistematik i këtyre rasteve në këtë periudhë nuk ka asnjë kuptim tjetër përpos qëllimit politik agresiv të fqinjit tonë verior”.
Joserioziteti i Ministrisë së Drejtësisë: “Arratisja e të burgosurve” për zëvendësministrin Sallahu ishte “largim” e për ministren Haxhiu “arratisje e organizuar nga Serbia”
Në anën tjetër, ministrja theksoi se përdorimi i aktit të vrasjes kriminale të policit nga ministri i brendshëm në Serbi si shtysë e bazë legjitimimi për të krijuar nevojën e një kauze kundërsulmi ndaj shqiptarëve dhe institucioneve të tyre, apo për të krijuar një rrethanë të kinse barazimit me ngjarje të pakrahasueshme në asnjë dimension, “është tërësisht i papranueshëm dhe i qëllimshëm”.
“Kjo retorikë e Qeverisë në Beograd është paralajmërim për ngjarje të ardhshme të gatuara në Beograd e që kanë një perspektivë të qartë shoviniste dhe etno-politike”, vlerëson.
Haxhiu u intervistua për dy ditë rresht nga Prokuroria Speciale e Kosovës.