Qyteti i Tuzit në Mal të Zi është veshur sot me ngjyrat e flamurit kombëtar kuq e zi.
Me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë është inauguruar edhe busti i kryetrimit të madh shqiptar Gjergj Kastriot-Skënderbeu, raporton RTV21.
Kuvendi i Komunës së Tuzit, më 2019 miratoi vendimin për ngritjen e monumentit përkujtimor kushtuar Skënderbeut në oborrin e shkollës fillore në Triesh, donacion i bashkëvendësve nga SHBA në bashkëpunim me Komunën e Tuzit.
Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj falënderoi të pranishmit dhe diasporën pa të cilën ky projekt nuk do të ishte realizuar.
Ai falënderoi edhe kryetarin e kuvendit komunal Fadil Kajoshaj, nënkryetarët Ivan Ivanaj dhe Haris Ramoviq si dhe të gjithë ata që u angazhuan në realizimin e këtij projekti.
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj falënderoi diasporën për kontributin e tyre, si dhe potencoi faktin se në Kuvend vendimi për vendosjen e këtij busti është sjellë në mënyrë unanime. Ai vlerësoi se kur partitë shqiptare punojnë me partnerët tjerë, atëherë do të ketë edhe rezultate të tjera pozitive.