Në jug të vendit shqiptarët e Kosovës zgjedhin jo vetëm të pushojnë pranë ujërave të Jonit, por edhe të vizitojnë sitet arkeologjike.
Çifti Gashi nga Prishtina, i cili prej dhjetë vitesh jeton në Gjermani është ndalur në parkun arkeologjik të Butrintit për tu treguar fëmijëve historinë.
“Mbas luftës së Kosovës, nga viti 2000 vijmë rregullosht çdo vit për pushime në Shqipëri. Kur kemi qenë të rinj kemi pasur kohë romantike që i kemi kaluar këtej. E tani që femijët janë rritur kemi dëshirë t’ja bartim trashëgiminë kulturore, historike dhe të kenë kontakt me Shqipërinë dhe Kosovën”.
Në 24 vite që vizitojnë Shqipërinë kjo është hera e parë në jug të vendit.
“Në Shqipërinë e Jugut është hera e parë, dje kemi qenë në Gjirokastër vendlindja e Ismail Kadaresë. Butrinti na pelqeu shumë, i kemi vizituar të gjitha pikat kryesore se gocat kishin dëshirë ta njihnin thellësisht, dhe tani e lamë si desert pjesën e amfiteatrit në fund”.
“Ndihem edhe më shumë shqiptare dhe me shume krenare. Vajza ime e madhe i ka bo 18 vjet dhe kur rriten femija nuk udhëtojnë shumë me prindërit, por ajo po vjen me ne se e do Kosovën, e do Shqipërinë dhe po thotë gjithmonë se këtu në Shqipëri ndihet si në Kosovë, si në shtepi.”
Ndër vite Shqipëria ka ndryshuar e ata ndjejnë kënaqësi kur media e vendit ku jetojnë i bën jehonë.
“Shqiperia ka ndryshuar shumë krahasuar nga vitet 2000 deri tani, më bëhet shumë qefi që në pjesët turistike dëgjohen gjuhë të huaja, më bëhet qejfi kur dëgjoj shqiptarët të flasin anglisht, jo si më parë kur flitej vetëm greqisht dhe italisht, tash po komunikojnë me ndërkombetarët. Gazeta gjermane momentalisht po e ngre turizmim shqiptar në piedestalin më të lartë, gjermanet po gjejnë pjesë të turizmit që nuk i gjejnë në një vend tjetër, si pjesën malore, detin. “
Shqiptarët e Kosovës edhe këtë vit sipas Institutit të Statistikave shënojnë numrin më të madhe të turistëve në vendin tonë.