Kërcënimi i Presidentit Donald Trump për të vendosur “taksat, tarifat dhe sanksionet” e reja ndaj Moskës deri sa të përfundojë lufta në Ukrainë erdhi pa detaje specifike se çfarë do të synonte konkretisht në një ekonomi ruse tashmë të sanksionuar rëndë.
Por, duke folur pas mesazhit të presidentit, një zyrtar i administratës Trump tha se mund të ketë mënyra shtesë për të ushtruar presion ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pavarësisht nga sanksionet masive tashmë në fuqi të vendosura nga paraardhësi i Trump-it.
Në veçanti, zyrtarët aktualë të SHBA-së besojnë se mund të ushtrohet më shumë presion mbi sektorin energjetik të Rusisë, të cilin administrata e mëparshme Biden kishte qenë e kujdesshme ta shënjestronte, duke qenë e shqetësuar për ndikimin e tij në tregjet globale.
Kur po largohej nga detyra, Biden kishte vendosur kufizime të reja për sektorët e naftës dhe gazit të lëngshëm natyror të Rusisë, një burim kryesor i ekonomisë ruse. Zyrtarët thanë se kjo kishte potencialin të kushtonte miliarda dollarë për Moskën. Sanksionet ndëshkonin entitetet që bënin biznes me rusët.
Por disa zyrtarë të Trump-it besojnë se SHBA-ja mund të shkojë edhe më larg duke ndërprerë burimin kryesor të të ardhurave të Rusisë, ndërsa Trump punon për ta sjellë Putinin në tryezën e negociatave. Ata thanë se përqendrimi i administratës Biden në çmimet e brendshme të gazit kishte çuar në një qasje të kujdesshme gjatë vitit të fundit.
“Do të jem 100% në favor të rritjes së sanksioneve — veçanërisht mbi kompanitë e mëdha ruse të naftës — në nivele që do ta detyronin Federatën Ruse të ulej në tryezë,” tha kandidati i Trump-it për sekretar të thesarit, Scott Bessent, gjatë seancës së tij të konfirmimit përpara Komitetit të Financave të Senatit javën e kaluar.
Një opsion që po diskutohet, sipas zyrtarëve, është forcimi më i madh i zbatimit të sanksioneve ekzistuese, duke përfshirë penalizimin e kompanive evropiane që transportojnë naftë ruse, si dhe blerësit e saj në Azi. Zyrtarët e Trump-it kanë qenë duke shqyrtuar opsione që përpara inaugurimit të kësaj jave, duke u konsultuar me disa të emëruar në Kabinet dhe me institute konservatore.
Sa i përket tarifave, Trump mund të ketë më pak hapësirë për të vepruar. Tregtia midis SHBA-së dhe Rusisë ishte relativisht e vogël edhe para se të fillonte lufta në Ukrainë — dhe ra ndjeshëm më pas, si rezultat i sanksioneve të rënda të vendosura nga administrata Biden.
Çfarëdo rruge që Trump zgjedh, ai ka të ngjarë të mos e zbatojë atë përpara se të flasë me Putinin, duke qenë i bindur se komunikimi i drejtpërdrejtë mund të sjellë rezultate pozitive.
Një telefonatë mes tyre do të ndodhë “shumë shpejt,” tha Trump këtë javë.