Presidenti Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që i jep TikTok një afat 75-ditor për të respektuar një ligj që kërkon shitjen ose ndalimin e platformës.
Ai thotë se gjatë kësaj kohe, SHBA nuk do të zbatojë ligjin e miratuar nga Kongresi vitin e kaluar dhe të nënshkruar nga ish-presidenti Joe Biden.
Urdhri ishte në mesin e një sërë direktivash që Trump nënshkroi të hënën në mbrëmje.
Duke folur për gazetarët në Zyrën Ovale, ai tha: “Çdo person i pasur më ka telefonuar për TikTok”.
Kur u pyet nga një gazetar se pse ai ka ndryshuar mendje që kur u përpoq të ndalonte TikTok në 2020, Trump u përgjigj: “Sepse duhet ta përdor”.
Ai paraqiti mundësinë e një sipërmarrjeje të përbashkët, duke thënë se po kërkonte një partneritet 50-50 midis
“Shteteve të Bashkuara” dhe pronarit të saj kinez ByteDance. Por ai nuk dha detaje të mëtejshme se si mund të funksionojë ky skenar.
Trump tha gjithashtu se tarifat e reja të mundshme tregtare ndaj Kinës mund të jenë të kushtëzuara nga një marrëveshje mbi pronësinë e platformës.
“Nëse Pekini refuzon një marrëveshje do të ishte disi një akt armiqësor”, tha ai.
Të shtunën në mbrëmje, aplikacioni në pronësi kineze pushoi së funksionuari për përdoruesit amerikanë , pasi një ligj që e ndalonte atë për arsye të sigurisë kombëtare hyri në fuqi.
Ai rifilloi shërbimet për 170 milionë përdoruesit e tij në SHBA pasi Trump tha se do të lëshonte një urdhër ekzekutiv për t’i dhënë një afat aplikacionit kur të merrte detyrën.
Administrata Biden kishte argumentuar se TikTok mund të përdoret nga Kina si një mjet për spiunazh dhe manipulim politik.