Donald Trump është informuar nga inteligjenca amerikane për kërcënimet nga Irani për ta vrarë atë, ka deklaruar ekipi i ish-presidentit.
“Kandidati republikan presidencial u informua në lidhje me kërcënimet reale dhe specifike nga Irani për ta vrarë atë në një përpjekje për të destabilizuar dhe mbjellë kaos në SHBA”, tha ekipi në një deklaratë.
Ai nuk dha detaje mbi pretendimet dhe nuk ishte menjëherë e qartë nëse kërcënimet të cilave iu referua ishin të reja.
Ndërkohë, qeveria iraniane ende nuk i ka komentuar deklaratat, por Teherani më parë ka mohuar të ketë ndërhyrë në çështjet amerikane.
Trump postoi në X, se ka “kërcënime të mëdha për jetë nga Irani”, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
“Lëvizjet që janë bërë nga Irani nuk funksionuan, por ata do të provojnë përsëri”, tha Trump.
“Zyrtarët e inteligjencës kanë identifikuar se këto sulme të vazhdueshme dhe të koordinuara janë shtuar në muajt e fundit”, tha në një deklaratë drejtori i komunikimit të fushatës së Trump, Steven Cheung.
“Zyrtarët e zbatimit të ligjit në të gjitha agjencitë po punojnë për të siguruar që Trump të mbrohet dhe zgjedhjet të jenë pa ndërhyrje”, shtoi ai.
Siç raportohet, këto njoftime vijnë pasi ish-presidenti amerikan i mbijetoi një atentati më 13 korrik në një tubim në Pensilvani, për të cilin ende nuk dihet motivi dhe rasti është nën hetim.
Në ditët më pas, mediat amerikane raportuan se zyrtarët kishin marrë informacione për një komplot të dyshuar iranian kundër ish-presidentit.
Zyrtarët iranianë në atë kohë i hodhën poshtë akuzat si “të qëllimshme”.
“Nëse ata e vrasin presidentin Trump, që është gjithmonë e mundshme, shpresoj që SHBA-ja ta fshijë Iranin nga faqja e dheut”, tha kandidati republikan në rrjetin e tij Truth Social në atë kohë.
Më pas, më 15 shtator, një agjent i Shërbimit Sekret vuri re një pushkë që kalonte nëpër një gardh në klubin ndërkombëtar të golfit Trump në West Palm Beach.
Agjenti hapi zjarr teksa Trump po luante golf.
Prokurorët amerikanë kanë akuzuar Ryan Wesley Routh për tentativë për vrasjen e një kandidati presidencial.
Megjithatë, nuk ka pasur asnjë sugjerim se Irani ishte i përfshirë në të dyja rastet.
Ndryshe, në vitin 2022, një anëtar i Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit u akuzua nga SHBA-ja për komplot për të vrarë ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Trump, John Bolton.